Ka një lehtësim të konsiderueshëm në Lindjen e Mesme pas sulmit të Izraelit drejtuar Iranit, pasi tani për tani duket se të dy vendet nuk duan t’i përshkallëzojnë gjërat më tej.
Por, lufta në Gazë vazhdon ende.
Madje, së fundmi aeroplanët dhe tanket izraelite kanë goditur disa zona në Rripin e Gazës, duke përfshirë edhe Rafahun ku strehohen më shumë se 2.3 milionë palestinezë.
Thuhet se sulmi ka dëmtuar një ndërtesë banimi në qytet dhe ka lënë të vdekur nëntë persona, përfshirë katër fëmijë, dhe ka plagosur shumë të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, shkruan BBC.
Gjithashtu, thuhet se sulmet ajrore kanë shkatërruar të paktën pesë shtëpi në kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në Gazën Qendrore.
Këto aksione ushtarake lënë të nënkuptohet se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ende nuk ka hequr dorë nga një ofensivë e madhe në Rafah, si përpjekje për të mposhtur Hamasin një herë e përgjithmonë.
Edhe pse SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të Izraelit e kanë paralajmëruar Netanyahun të mos e realizojë një sulm të tillë të plotë në Rafah nga frika e pasojave humanitare, me shumë gjasë kryeministri izraelit do t’i përmbahet planit të tij.
Të shqetësuar për ofensivën në jug të Gazës janë edhe izraelitët, pasi ky veprim do të vendosë edhe për sigurinë e 130 pengjeve që mbahen atje nga Hamasi.