Izraeli pranon ndihmë të re ushtarake nga ShBA-ja

Izraeli pranoi një grup të ri ndihmash ushtarake nga ShBA-ja sot, si pjesë e paketës së caktuar nga Washingtoni për Tel Avivin, transmeton Anadolu.

Ministria izraelite e Mbrojtjes tha në një deklaratë për shtyp se “Ministria e Mbrojtjes ka marrë dërgesën e parë të (mjeteve) SUV të blinduara amerikane” si pjesë e paketës së ndihmës ushtarake të caktuar nga Washingtoni për Tel Avivin.

“Këto SUV të blinduara po i jepen ushtrisë izraelite për të zëvendësuar automjetet që janë dëmtuar gjatë konflikteve”, tha ministria.

Ajo tha se marrja e këtyre automjeteve është “komponent i marrëveshjeve të gjera që synojnë të forcojnë flotën e automjeteve të ushtrisë izraelite për të adresuar një sërë skenarësh të kohës së luftës”.

“Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Eyal Zamir, ka autorizuar tashmë porositë e blerjes brenda dhe jashtë Izraelit për automjete dhe pajisje të rënda, në total mbi 400 milionë shekelë”, thuhet në deklaratë.

“Procesi i prokurimit përputhet me nevojat specifike të ushtrisë izraelite dhe përfshin një gamë të gjerë automjetesh të specializuara, duke përfshirë ambulanca të blinduara, automjete operative të blinduara, kamionë taktikë dhe pajisje inxhinierike mekanike”, thuhet më tej.

Tel Avivi pranoi këtë ndihmë ndërsa Izraeli po vazhdon të bombardojë Gazën, e cila ka qenë e rrethuar që nga 7 tetori kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i papritur i shumëfishtë që përfshinte një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për bastisjet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës.

Gaza po përjeton një krizë të rëndë humanitare, pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.

Të paktën 3.785 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.





Story i mëparshëm

Shkollat e Tetovës nuk do të kenë problem me ngrohjen/ Ademi: Ka naftë në të gjitha shkollat, janë bërë edhe prokurimet për 2024

Story i radhës

Çfarë Janë Karbohidratet e Mira? Mësoni Gjithçka që Duhet të Dini Për To

Të fundit nga