Ushtria izraelite ka njoftuar fillimin e një ofensivë të re tokësore më 4 prill në lindje të Qytetit të Gazës, me qëllim zgjerimin e zonës së sigurisë që ka krijuar brenda enklavës palestineze.
Sipas njoftimit të ushtrisë, operacionet ushtarake janë përqendruar në zonën Shejaija, në veri të Gazës.
Izraeli tha se gjatë operacionit, trupat e tij kanë eliminuar një numër të terroristëve dhe kanë shkatërruar infrastrukturë të Hamasit, përfshirë një qendër komanduese që grupi terrorist e përdorte për të planifikuar dhe realizuar sulme terroriste.
Për më tepër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se sulmet në Gazë, që kanë shkaktuar qindra viktima, janë vetëm “fillimi” i ofensivës. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka theksuar se shteti izraelit do të rrisë praninë ushtarake në Rripin e Gazës për të pastruar zonën nga terroristët dhe infrastrukturën terroriste, me synimin për të marrë nën kontroll zona të mëdha dhe t’i inkorporojë ato në zonën izraelite të sigurisë.
Izraeli ka shtuar se civilët do të lejohen të evakuohen nga zonat e luftimeve përmes “rrugëve të organizuara për sigurinë e tyre”.
Ky operacion është pjesë e përpjekjeve për të detyruar Hamasin të lirojë pengjet e marrë gjatë sulmit të tetorit 2023, i cili shkaktoi një valë të re dhune dhe ka nxitur luftën e vazhdueshme në Gazë.
Gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë, ndërsa ofensiva izraelite ka sjellë më shumë se 50.000 viktima palestineze.
Burimi: botasot.info