Shefi i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi ka paralajmëruar kryeministrin Benjamin Netanyahu se mund të ballafaqohen me largime masive të pjesëtarëve nga radhët e ushtrisë për shkak të planeve të qeverisë për reforma në drejtësi, transmeton Anadolu.
Gjeneral lejtënant Halevi i tha Netanyahut se kërcënimet e fundit nga rezervistët, përfshirë pilotët e avionëve luftarakë dhe ekspertët e sigurisë kibernetike, se nuk do të paraqiten në detyrë në shenjë proteste ndaj planeve të reformës gjyqësore, mund të shtrihen deri në atë pikë sa të dëmtojnë aftësitë operacionale të ushtrisë.
“Jam shumë i shqetësuar nga përhapja e refuzimit për të shërbyer dhe nga diskutimi për refuzimin për të shërbyer. Tani, kjo mund të dëmtojë kapacitetin operacional të ushtrisë”, raportohet t’i ketë thënë Halevi Netanyahut.
Dhjetëra pilotë rezervistë izraelitë kanë refuzuar të marrin pjesë në një seancë trajnimi të planifikuar për 8 mars në shenjë proteste kundër planeve të reformës në drejtësi. Një kërcënim i ngjashëm erdhi edhe nga rreth 150 pjesëtarë të forcave kibernetike të ushtrisë.
Të hënën, një grup ish-komandantëve të forcave ajrore i dërguan një letër Netanyahut dhe ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, ku kërkuan heqjen dorë nga planet të reformës në drejtësi.
Gjithashtu edhe disa ushtarë rezervë nga njësi të ndryshme ushtarake dhanë deklarata se nuk do të marrin pjesë në stërvitje ushtarake në shenjë proteste ndaj reformës.
Netanyahu iu përgjigj kërcënimeve duke thënë se refuzimi për të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake përbënte kërcënim “ekzistencial” për Izraelin.
Të hënën, presidenti izraelit Isaac Herzog tha se Izraeli po përjeton një “krizë historike” mes protestave të vazhdueshme kundër reformës gjyqësore. Opozita paralajmëroi se reformat gjyqësore të propozuara nga qeveria do të çojnë në kaos në vend.
Izraeli është përfshirë nga protesta masive me pjesëmarrje të mijëra izraelitëve gjatë javëve të fundit kundër planeve të qeverisë së Netanyahut për reforma rrënjësore në sistemin gjyqësor.
Reformat e propozuara nga ministri i Drejtësisë, Yariv Levin, nëse miratohet, do të ishte ndryshimi më radikal ndonjëherë në sistemin e qeverisjes në Izrael.
Ndryshimet e planifikuara do të kufizonin ndjeshëm autorizimet e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë, do t’i jepte qeverisë autorizimin për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe do t’i jepte fund emërimit të këshilltarëve ligjorë në ministri nga prokurori i përgjithshëm.
Megjithatë, Netanyahu, i cili është në gjyq për korrupsion, këmbëngul se plani i tij gjyqësor do të përmirësonte demokracinë.