Ivica Daçiq bëhet ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë

October 23, 2022
1 minut lexim

Partia Përparimtare Serbe dhe Partia Socialiste e Serbisë kanë bërë publikë emrat e ministrave të Qeverisë së re të Serbisë, që do të udhëhiqet nga Ana Bërnabiq.

Lideri i socialistëve, Ivica Daçiq, do të jetë ministër i Punëve të Jashtme, kryetar i Byrosë së Koordinimit të Shërbimeve të Sigurisë dhe zëvendëskryeministër i parë. Ai rikthehet pas dy vjetësh në krye të diplomacisë serbe.

Branisllav Shashiq, ish-drejtori i Agjencisë së Sigurisë së Informacionit (BIA) do të jetë ministri i ri i Punëve të Brendshme të Serbisë. Millosh Vuçeviq, ish-kryetari i Novi Sadit dhe anëtar i lartë i Partisë Përparimtare Serbe, do të marrë drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe do të ketë edhe postin e zëvendëskryeministrit.

Sinisha Malli do të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë e Financave dhe po ashtu do të jetë edhe zëvendëskryeministër. Ndërkaq, Maja Popoviq po ashtu do të vazhdojë të jetë ministre e Drejtësisë.

Ndryshime ka në udhëheqjen e disa dikastereve të tjera, përfshirë Ministrinë e Integrimit Evropian, atë të Infrastrukturës, Energjisë dhe Tregtisë.

Qeveria e re serbe po ashtu do të ketë edhe ministra pa portofol, por edhe dy ministra nga radhët e minoriteteve. Husein Memiq do të jetë ministër i Turizmit dhe Rinisë. Memiq ishte bartës i listës së Partisë Demokratike të Sanxhakut.

Ndërkaq, Tomisllav Zhigmanov, kryetar i Unionit Demokratik të Kroatëve në Vojvodinë, do të udhëheqë Ministrinë për të Drejtat e Minoriteteve dhe Dialogut Social.

Partia Përparimtare dhe ajo Socialiste kanë numrat e nevojshëm në Parlament për të formuar Qeverinë. Parlamenti pritet të zgjedhë Qeverinë e re javën e ardhshme.

Qeveria e re serbe do të ketë 25 ministri, apo katër më shumë sesa ekzekutivi paraprak.

Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 3 prill. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve u shpallën më 5 korrik për shkak se në disa qendra të votimit në jug të Serbisë u përsëritën zgjedhjet. 

Burimi: GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Pal Lekaj i bën drutë për dimër, ankohet me një foto

Story i radhës

Afrim Muçiqi i quan kolegët rrenca: Askush nuk i merr 15 mijë euro në dasmë, kjo është rren e kullume

Të fundit nga

ShkoLartë