Nuk ndalen kritikat e ashpra për ndryshimet në Kodin Penal. Sipas kryetares së Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, me ndryshimet sërish është keqpërdorur mundësia e miratimit të legjislacionit me procedurë të shkurtuar dhe se ndryshimet në Kod do të kontribuojnë në mosndëshkim më të madh.
“Të gjitha ato që dëgjojmë nga bartësit e funksioneve publike, se janë të gatshëm të luftojnë korrupsionin, tashmë e konsiderojmë se është vetëm deklarative. Për shkak se kjo vetëm nxit korrupsionin, rrit mundësinë e tregtimit të ndikimin dhe pazareve partiake”, deklaroi Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.
Sipas Ivanovskës, ndryshimet janë të nxituara. Ajo thotë se në vend që të ulet dënimi për ata që kanë shkelur ligjin, duhet të ketë reperkusione për gjykatësit dhe prokurorët që nuk veprojnë në afatet e përcaktuara.
“Përkundrazi, me zgjidhje të tilla, personave të korruptuar në shtet iu përcjellim vetëm mesazh se korrupsioni ka leverdi”, tha Biljana Ivanovska – kryetare e KSHPK-së.
Nga ana tjetër, ekspertët thonë se me ndryshimet qytetarët do të raportojnë gjithnjë e më pak korrupsion. Nga Lidhja e juristëve vlerësojnë se fillimisht është dashur të matet dëmi social, sidomos kur bëhet fjalë për lëndët e vështira të iniciuara nga ish PSP-ja.
“Kemi TNT, Talir, Thesari, Dizajn, Toplik, Titanik, Tenderat, Titanik 2, Trajektorja, Shkallët spanjolle, Target-Fortesa dhe rastin e Stevçe Jakimovskit. Më shumë se 80 persona të akuzuar në këto raste nuk do të ndiqen penalisht”, u shpreh Aleksandra Cvetanovska – Shoqata “Juristët e rinj.”
Drejtori i Institutit Nacional Demokratik Amerikan, Robert Skot, në debatin e iniciuar nga organizata joqeveritare “Solucia”, vlerësoi se ndryshimet janë bërë me nxitim pa u konsultuar me ekspertë dhe pa organizuar debat të gjerë publik.