Sot, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të
Shqiptarëve në Shkup u zhvillua dita e tretë e aktiviteteve të
manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit” – IV e, që sivjet
kanë temë boshte trajtimin shkencor të kontributit që kanë dhanë
studiuesit gjerman për shkencën e gjuhësisë shqiptare. Albanologë si:
Gustav Mayer, Nobert Jokli, Maksimilian Lambreci, Johan G. Von Han,
kanë dhënë një kontribut kolosal dhe me vlerë të qenësishme si për
historinë e gjuhës ashtu edhe për vetë historinë e popullit shqiptar,
u tha mes tjerash në hapjen e sesionit shkencor “Studime albanologjike
në gjuhën gjermane”. Në ditën e parë të këtij sesioni, u sollën
trajtesa interesante dhe me shumë prurje të reja shkencore rreth
studimeve të këtyre albanologëve në zë të shkollës gjermane dhe
austriake.
“Dija albanologjike nuk do të ishte kjo që është sot, po qe se pjesë e
kronologjisë së studimeve albanologjike nuk do të ishte edhe shkolla
gjermane, e cila në këtë dije zë një vend të veçantë e shumë meritor
dhe që i prinë prurjeve të studimeve që vijnë nga të huajt. Kjo
shkollë, në shumë drejtime të studimeve albanologjike ka vënë themele
fillestare, ndërsa ka spikatur në krahasim me shkollat e tjera edhe në
kërkimet shkencore e zgjidhjen e shumë çështjeve jo vetëm gjuhësore,
por edhe historike e etnokulturore të etnisë shqiptare”, tha në fjalën
e saj të rastit prof.dr. Hidajete Azizi, udhëheqëse e Departamentit të
studimeve të gjuhës në ITSHKSH.
Me gjenezën gjermane të studimeve albanologjike, plotësoi më tej ajo,
lidhet edhe njëri ndër dokumentet e para të shkruara të gjuhës shqipe,
“Fjalorthi” i udhëtarit gjerman Arnold von Harff-it (1496), akoma pa u
botuar vepra e parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut. Ky
fjalorth zë vendin e shkrimit të parë për gjuhën shqipe ndër të huajt.
Në çdo shekull vijues e deri më sot, sikurse tha prof..dr. Azizi,
interesi për gjuhën e kulturën shqipe nga ana e studiuesve gjermanë jo
vetëm që do të jetë i pranishëm, por do të avancojë bindshëm e do të
zë një vend të pa luhatshëm në dijen albanologjike.
Sesionin shkencor të ditës së mërkurë e hapi studiuesja nga Shqipëria
Elda Gjana e cila u prezantua me kumtesën “Dialektet e shqipes në
studimet e albanologëve gjermanë Gustav Majer dhe Nobert Jokli”. Me
mjaft interes u ndoqën edhe kumtesat “Ç’shkruante Gustav Majer për
letërsinë shqipe në vitin 1883” e Anton Nik Berishës; “Gustav Majer
dhe dorëshkrimi ‘Albanesissche Gramatik’ e vitit 1886” e studiuesve
Xhafer Beqiraj dhe Vilson Markut, si dhe kumtesa “Ndihmesa e
Maksimilian Lambercit për njësimin e gjuhës së përbashkët letrare
shqipe” e studiuesit Izer Maksuti.
Të enjten, pra nesër, do të jetë sesioni shkencor i radhësh ““Studime
albanologjike në gjuhën gjermane”, me studiues të tjerë që do të
flasin kryesisht për kontributin e Hanit dhe Lambercit në studimet e
shqipe, ndërsa “Ditët e Alfabetit” do të vazhdojnë aktivitete edhe në
datat 21 dhe 22 nëntor me promovim librash, ekspozita dhe konferenca
shkencore dedikuar 50 vjetorit të Kongresit të drejtshkrimit.
Viti 2022 përkon edhe me 15 vjetorin e themelimit të Institutit të
Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili
është ndjekur nga një varg aktivitetesh, me fokus të veçantë në
promovimin e ngjarjeve dhe personaliteteve që me studimet e veta kanë
ndriçuar çështje të rëndësishme identitare shqiptare – një prej të
cilave padyshim se është edhe gjuha.