Liderja italiane e të djathtës ekstreme, Giorgia Meloni, dhe aleatët e koalicionit, do të takohen të premten me presidentin e shtetit, Sergio Mattarella, për formimin e Qeverisë.
Nëse palët pajtohen, koalicioni i Melonit mund të betohet këtë fundjavë, një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi, pritet t’iu bashkohet diskutimeve, pavarësisht shkundjes së unitetit të koalicionit me komentet që ka bërë pro-presidentit rus, Vladimir Putin.
Në disa incizime që kanë dalë në publik, ai është dëgjuar të ketë thënë se Putin ia ka dërguar 20 shishe me vodka për ditëlindje dhe një “letër të ëmbël”.
Meloni është zotuar se do të luajë rol kyç në NATO – aleancën ushtarake perëndimore.
“Italia me ne në Qeveri, nuk do të ketë kurrë lidhje të dobët me Perëndimin”, ka thënë ajo, duke tentuar të ulë shqetësimet për qasjen në politikën e jashtme.
Kryeministri në shkuarje i Italisë, Mario Draghi, i cili ka qenë në Bruksel për një samit të Bashkimit Evropian, e ka theksuar se anëtarësimi i Italisë në BE dhe NATO, është në qendër të politikës së saj të jashtme.
Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë në Twitter se teksa Berlusconi po shijon vodkën ruse, Meloni po demonstron se cilat janë parimet e vërteta.
Në rast se Meloni merr konfirmimin se mund të udhëheqë Qeverinë, ajo duhet t’ia dërgojë presidentit listën e ministrave me të cilët mund të betohet të dielën.
Procesi i votëbesimit, që pritet të mbahet javën tjetër, shihet si formalitet, duke marrë parasysh madhësinë e krahut të djathtë në Parlament.
Detyra e parë e Melonit do të jetë ndihma për italianët teksa përballen me çmime të energjisë.
Mbetet të shihen edhe politikat e saj për komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), dhe nëse do të çojë përpara synimet për bllokadë në kanalet ujore me Libinë, për të pamundësuar shkuarjen e migrantëve në Mesdhe.
Burimi: GAZETA.MK