Italia po përgatitet të hedhë kandidaturën për të organizuar Kampionatin Europian të Futbollit në verën e 2032-shit. Sipas mediave italiane, është bërë tashmë aplikimi paraprak dhe deri në mars të vitit të ardhshëm pritet të dorëzohet një dosje e plotë.
Gjithashtu janë zbuluar edhe 10 qytetet e planifikuara për t’u përfshirë në organizimin e eventit, teksa lista kryesohet nga Milano, e ndjekur nga Roma, Bari, Napoli, Palermo, Kaljari, Gjenova, Bolonja, Firence dhe Torino.
Në Itali janë të bindur se mund t’ia dalin të rikthejnë një organizim të tillë madhështor pas shumë vitesh, teksa nëse ia del të fitojë, atëherë ky do të jetë një lajm fantastik edhe për infrastrukturën futbollistike.
Kjo pasi shumë stadiume në Itali kanë kapacitet të madh, por janë shumë të amortizuar dhe në planin e organizimit të Euro 32 është parashikuar edhe një rikonstruksion i tyre.