Italia po dërgon grupin e parë të emigrantëve drejt Shqipërisë, me anije, tha të hënën për agjencinë e lajmeve Reuters një burim i afërt me çështjen, duke i hapur udhë zbatimit të një plani të diskutueshem për përpunimin jashtë vendit të kërkesave për azil.
Qeveria e kryeministres Meloni ka ngritur dy qendra pritëse në Shqipëri, marrëveshja e parë e këtij lloji,sipas të cilës një vend të Bashkimit Evropian i dërgon emigrantët në një vend që nuk është pjesë e unionit, në përpjekje për të penguar emigracionin e paligjshëm.
Burimi i agjencisë Reuters, i cili nuk pranoi të identifikohej, tha se anija ‘Libra’ ishte nisur nga ishulli i Lampeduzës me 16 emigrantë meshkuj të cilët u shpëtuan në det të dielën.
10 janë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, vende që konsiderohen si të sigurta nga Italia.
Në listën e Italisë, aktualisht janë 21 shtete të tilla. Vitin e kaluar, 56,588 emigrantë mbërritën nga Italia nga 4 prej shteteve që konsiderohen të sigurta, Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia.
Anija ‘Libra’ pritet të mbërrijë në Shqipëri mëngjesin e së mërkurës, tha burimi.
Sipas marrëveshjes deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, për sa kohë që ata vijnë nga lista e vendeve të sigurta. Për emigrantët nga këto vende ka kufizime të ashpra për përfitimin e azilit.
Megjithatë, një vendim i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, në fillim të këtij muaji, mund të çojë në ndryshim të planeve, thonë ekspertët, pasi kufizon përcaktimin se ‘cili mund të kosniderohet vend i sigurtë jashtë Bashkimit Europian”.
Duke u shprehur me vendim për një rast tjetër që përfshinte Republikën Çeke, Gjykata tha se një vend jashtë bllokur europian mund të deklarohet i sigurtë vetëm nëse nuk ka rrezik në të gjithë territorin.
“Gjykata po u thotë qeverive se ato mund të bëjnë listat e tyre të vendeve të sigurta, por ata e kanë gabim nëse përfshijnë kombe që kanë zona të pasigurta”, tha Matteo Villa, një studiues i lartë në grupin e ekspertëve ISPI.
“Nëse vendimi do të zbatohej në këtë rast, vështirë se dikush mund të dërgohej (në Shqipëri)”, tha ai.
Ministria e Brendshme italiane nuk pranoi të komentonte vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë./VOA
BURIMI: Bota Sot