ROMË – Një gjykatë italiane dënoi të hënën mbi 230 të pandehur në përfundim të një prej proceseve gjyqësore më të mëdha kundër mafias, që pati në epiqendër grupin kriminal Ndrangheta, në zemrën e rajonit jugor Kalabrisë.
Mbi 330 mafiozë të dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tyre, ndër ta edhe zyrtarë të qeverisë, u përballën me një seri akuzash, si mitmarrja, trafiku i drogave dhe vjedhja. Procesi gjyqësor zgjati pothuajse tre vjet.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, gjykatësve iu deshën 1 orë e 40 minuta vetëm për të lexuar vendimin. Dënimet më të rënda iu dhanë Saverio Razionales dhe Domenico Bonavotas, dy drejtues të mafias në Kalabria, me nga 30 vite burgim secilit.
“Vendimi i sotëm do të thotë se një provincë e tërë e Kalabrisë është çliruar nga grupi kriminal”, tha për agjencinë e lajmeve Reuters Nicola Gratteri, një nga gjykatësit më të njohur të Italisë dhe ish-prokuror kryesor në këtë çështje.
Në mesin e të dënuarve ishte Giancarlo Pittelli, avokat dhe ish-politikan me partinë Forza Italia, që është pjesë e koalicionit qeverisës. Ai u dënua me 11 vjet burg për bashkëpunim me mafian dhe dhënie informacioni.
Zoti Gratteri, i cili ndryshoi vendin e punës dy muaj më parë dhe u bë kryeprokuror në Napoli, tha se konfirmimi i lidhjes midis Ndranghetas dhe një rrjeti profesionistësh ishte një aspekt kryesor i vendimit.
Giorgio Naselli, ish-shef i policisë lokale, u dënua me dy vjet e gjashtë muaj.
Megjithatë, prokuroria pati kërkuar dënime më të rënda për disa raste. Gjykata gjithashtu liroi gati 100 prej të akuzuarve.
Vendimi i shkallës së parë i së hënës mund të apelohet si nga mbrojtja ashtu edhe nga prokuroria.
Ndrangheta konsiderohet nga prokurorët si grupi mafioz më i fuqishëm i Italisë, që eklipsoi me lehtësi bandën më të famshme Cosa Nostra në Siçili, me ndikimin e saj që shtrihet në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Gjyqi u zhvillua në mjediset ku më parë funksiononte një qendër për pritjen e telefonatave në qytetin kalabrez Lamezia Terme. Qendra u konvertua në një sallë me kafazë metalikë të instaluar për të pandehurit.
Hera e fundit që Italia gjykoi njëkohësisht qindra mafiozë të dyshuar ishte në vitin 1986 në Palermo, në një çështje gjyqësore që përfaqësonte një pikë kthese në luftën kundër Cosa Nostras dhe që shënoi fillimin e rënies së madhe të këtij grupi.
Gjyqi siçilian pati një ndikim të madh sepse kishte në objektiv familje të shumta mafioze.
Gjyqi kalabrez u përqendrua kryesisht tek vetëm një grup – klani Mancuso nga provinca Vibo Valentia – duke lënë të paprekur pjesën më të madhe të strukturës më të lartë të Ndranghetas.
Anna Sergi, profesore e kriminologjisë në Universitetin e Essex-it, tha se vendimi konfirmoi variantin e prokurorëve të strukturës së Ndranghetas në Vibo Valentia.
“Tani ka specifikën e vet”, tha ajo, duke nënvizuar se sipas ligjit italian, vendime të tilla të shkallës së parë mund të apelohen dy herë përpara se të marrin formë të prerë.
70 të pandehur të tjerë nga gjyqi fillestar ishin shpallur fajtorë në nëntor 2021 pasi zgjodhën një procedurë të përshpejtuar në këmbim të uljes së dënimeve të tyre./VOA
Burimi: GAZETA.MK