Itali, Mattarella rizgjidhet për një mandat të dytë

Kreu i shtetit italian Sergio Mattarella u rizgjodh për një mandat të dytë të shtunën. Ky zhvillim vjen pas përpjekjeve të partive politike për të gjetur një kandidat të pranueshëm nga të gjitha palët.

Krerët falënderuan 80-vjeçarin Sergio Mattarella që pranoi të qëndronte në detyrë, por përpjekjet e dështuara për ta zëvendësuar atë gjatë shtatë raundeve të votimit kanë lënë plagë të thella, me pasoja potencialisht të rrezikshme për stabilitetin politik të vendit.

Megjithatë, tregjet financiare ka të ngjarë të reagojnë pozitivisht. Mario Draghi, i cili e kishte bërë të qartë se shpresonte të bëhej vetë president, pritet të vazhdojë të mbajë detyrën e kryeministrit.

Pas 7 raundesh votimi të dështuara në parlament, shoqëruar shpesh me tensione, Sergio Mattarella u zgjodh në raundin e tetë duke marrë më shumë se 505 votat e nevojshme. Zgjedhja e tij u shoqërua me duartrokitje të forta e të gjata të ligjvënësve.

Sergio Mattarella, 80 vjeç, e kishte përjashtuar mundësinë e qëndrimit në detyrë, por në një kohë kur stabiliteti politik i vendit po vihej në rrezik, u pa si e pamundur që ai t’i rezistonte trysnisë për të shërbyer për një mandat tjetër.

“Gatishmëria e Mattarella-s për të shërbyer një mandat të dytë tregon ndjenjën e tij të përgjegjësisë dhe lidhjen e tij me vendin dhe institucionet”, tha në një deklaratë Ministrja e Çështjeve Rajonale Mariastella Gelmini.

Ligjvënësit kryesore shkuan në presidencë për t’i kërkuar zoti Mattarella të qëndrojë në detyrë.

Një burim nga një forcë politike tha se edhe vetë Kryeministri Mario Draghi, i cili pretendonte të bëhej president, i kishte telefonuar më herët zoti Mattarella duke i kërkuar që qëndronte në detyrë.

Kjo është hera e dytë radhazi që një presidenti i kërkohet të rinovojë mandatin e tij shtatëvjeçar.

Në vitin 2013, pasi nuk arritën të gjenin një kandidat konsensual, udhëheqësit politikë iu drejtuan kreut të atëhershëm të shtetit, Giorgio Napolitano, i cili ishte pothuajse 90 vjeç.

Zoti Napolitano u detyrua ta pranonte, por u largua pas dy vitesh me zgjedhjen e një qeverie të re. Shumë komentues kanë thënë se me siguri zoti Mattarella do të bëjë të njëjtën gjë sapo ta mundësojë situata politike./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Molliqaj, a e godite me shuplakë Qeverinë apo vetëm një polic?!

Story i radhës

Çfarë ndodh me trupin pas ndërprerjes së ushtrimeve?

Të fundit nga

AlbanianMacedonianEnglish