Kanë kaluar ditë nga vizita e Erdoganit në Tiranë, ku ndodhi edhe zhvillimi më traumatik, ndarja e komunitetit mysliman në dy pjesë, të gjitha të parashikuara me kohë nga ‘Pamfleti’.
Edi Rama, vetëm për t’i shërbyer pushtetit të tij, për të marrë edhe një mandat më shumë, (oreksi vjen duke ngrënë), ka shkelur aq vija të kuqe që për një vend e popull të vogël si ne, është në një farë mënyre, si të ndezësh fitilin e dinamitit. E po e ndeze, shpërthimi është një fakt i pritshëm.
Edi Rama, me vendimin për një komunitet mysliman paralel me KMSH-në, ka krijuar tek sytë e besimtarëve, një islam të pastër politik.
Sot myslimanët shqiptarë, në pjesën më të madhe të tyre janë të detyruar të besojnë ose në KMSH-në që Erdogan e quan gylenist, ose në KMSH që konsiderohet erdoganist në kapacitete humane, para dhe ideologji.
Në ditët që vijnë, do të jemi dëshmitarë të një përplasjeje pushteti mes palëve; njëra për të ruajtur ndikimin e tjetra për ta marrë. Por e gjitha kjo nuk ka lidhje me religjonin, është politikë e pastër.
Mjafton të sillet si model Perëndimi, ku në televizione nuk shikon priftërinj apo pastorë, veçse në emisione ku ekspertiza e tyre teologjike është thirrur për të folur për atë që janë kompetentë.
Priftërinjtë katolikë dhe protestantë, që në shumicën e rasteve janë së paku bibliofilë të çmendur pasi lexojnë shumë, mund të flasin për shkencën, filozofinë, shoqërinë dhe fenomenet e jetës në mënyrën më elekuente të mundshme. Këtë mendim, jo vetëm që nuk ua kërkon kush, por as ata nuk duan ta japin në media. E thonë në shtëpinë e tyre, pasi shteti është laik.
Ndërsa tek ne, imamët flasin për fizikën, flasin për gratë, flasin për muzikën, flasin për psikologji, kur nuk kanë nerva të dëgjojnë rrëfimin e besimtarit, e në rastin e mëkatit të parë bëjnë më ‘katolikun’ se Papa, duke mos kuptuar arsyet pse ka ndodhur.
E gjitha kjo panoramë ka një sens. Jemi përfundimisht në një situatë ku Parlamenti i Shqipërisë ashtu si në Turqi do na mbushet me hoxhallarë e “bamirës” që prej kohësh janë kthyer në ‘guru’ të rrjeteve dhe mediave online.
I gjithë ky islam politik nuk ngjan aspak me angazhimin e dikurshëm, pra në lindjen e shtetit shqiptar, të klerikëve që ishin autoritete në publik. Si Vehbi Dibra, Pater Gjergj Fishta apo imzot Fan Noli. Ai ishte një angazhim i natyrshëm, pasi ata ishin më shumë se klerikë, ishin emra publik; përkatësisht poetë, publicistë, filozofë, pra njerëz që kishin shkruar mijëra faqe libra.
Mendo sot, Ahmet Kalanë apo bukuroshin e Urës së Tabakëve të debatojnë për alfabetin, letërsinë e filozofinë botërore.
Kur dy krerët e parë të KMSH-së që e bën autoqefal më pas, në 1908 puthën në ballë Pater Fishtën në Manastir për vendimin historik të pranimit të alfabetit latin të shqipes.
Kurse këta, imamët influencera, jo vetëm që as nuk dinë asgjë nga latinishtja apo librat e vjetër, por nuk dinë të japin asnjë ide sesi mund të zbuten problemet e kohës sonë.
Thjeshtë i konstatojnë dhe të ‘kallin datën’ duke sjellë metodat e famshme të së shkuarës, ku frika ishte ilaç.
Ky është islami politik që ditë pas dite po merr udhë në diskursin jo thjesht të njerëzve që e mendojnë kështu. Por të autoriteteve klerikale që kanë edhe një edukim të përgjithshëm.
Pse Blendi Fevziu thërret Redi Shehun në Opinion? Shehu nuk është as gazetar, as pedagog, as teolog e as një mendimtar. Ai thjesht drejton një revistë që e financon Erdogani. Një revistë që nuk bën asgjë tjetër veçse mbron dhe thekson politikën e sotme turke. Pra është një media proturke.
Shehu është një i financuar i Erdogan që së shpejti do të jetë deputet në Parlamentin shqiptar, me izmën e Sulltanit. Si Redi ka edhe të tjerë, e këto nuk janë asgjë tjetër veçse eksponentët e islamit politik.
Si kundrapeshë, me shumë mundësi, edhe pala tjetër, në këtë rast gylenistët, do të sjellin personazhet e tyre, që i kanë investuar ndër vite.
E si rezultat mund të kemi shumë shpejt një debat mes rrymave islame, logjikave të qeverisjes së Turqisë dhe botës arabe. Në një kohë kur asnjëra nuk i hyn fare, po fare në punë shqiptarëve.
Ky islam politik në fakt ka ndodhur. Çdo ditë besimtarët e shkretë nuk dëgjojnë ligjërata për moralin dhe për sfidat e kohës, ku njerëzit të kuptojnë se si mund të lëvizin pa prekur mëkatet e tmerrshme.
Fatkeqësisht, besimtarët po shikojnë një politizim të fesë, e një politizim që nuk ka lidhje me islamin e as me Shqipërinë. Që shumë shpejt do të precipitojë në një përplasje finale, pa lidhje me ne, por që dëmin e bën këtu. Duke sjellë një eksportim të konfliktit, për të dhënë sinjalin jo vetëm në Turqi por në të gjithë botën myslimane, për të treguar fuqinë e Erdoganit. I cili në botën islame kërkon të rrisë influencën duke përdorur shqiptarët. Fiks si sulltanët otomanë.
BURIMI: Bota Sot