Nuk kam asnjë lidhje me parti politike. Kështu ka deklaruar shefi i sapo zgjedhur i Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi .
Ai ka shtuar se në jetën e tij asnjëherë nuk ka qenë anëtarë i asnjë partie politike.
“Funksioni i prokurorit publik nuk korrespondon me kryerjen e ndonjë funksioni tjetër publik ose anëtarësinë në parti politike, sipas kësaj, asnjëherë nuk kam qenë as nuk jam anëtarë i ndonjë partie politike, as në punën time të deritanishme nuk kam lënë përshtypje se unë kam, të themi relacione ose pozicione me parti konkrete politike”, ka deklaruar Abazi.
I pyetur nëse ka lidhje me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti pasi edhe Abazi vjen nga Zajazi, ai u përgjigj se nuk ka asnjë kontakt as me Ahmetin por as me anëtarë të tjerë të BDI-së.
“Ndoshta edhe jemi takuar. Nuk kemi kontakte personale”, u shpreh Abazi.