Një grua shtatzënë është vrarë sot, (30 nëntor) në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, bëri të ditur Policia e Kosovës.
Autoritetet e rendit thanë se kanë pranuar informatën rreth orës 18:00 se në oborrin e QKUK-së gjendej një trup i pajetë.
Viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.
“Aktualisht, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo ishte vrasje mizore, “e papranueshme dhe e padurueshme”.
Sipas tij, autori ishte bashkëshorti i viktimës.
“Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën”, shkroi Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
“Dy engjëj në qiellin e pistë. Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, shkruan Kurti.
Kjo është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë, pasi më 25 nëntor u raportua se një burrë e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë. Ngjarja kishte ndodhur po ashtu në Prishtinë.
Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.