Inspektorati Shtetëror i Tregut dje dhe sot ka kryer inspektime dhe kontrolle në më shumë se 400 subjekte ekonomike në nivel të gjithë vendit dhe ka konstatuar se në përgjithësi është respektuar vendimi i Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës nga 450 gama në 33 denarë.
“Deri më tani nga kontrollet është konstatuar se çmimi i bukës, varësisht nga pesha dhe në varësi të qyteteve të ndryshme ku shitet, është nga 25 deri në 33 denarë, dhe se buka që përfshihet me këtë vendim, u është dorëzuar marketeve”, njofton ISHT.
Ata theksojnë se Inspektorati Shtetëror do të vazhdojë të kryejë kontrolle lidhur me respektimin e çmimit të ngrirë të bukës. Por, përkundër asaj që Inspektorati Shtetëror i Tregut thotë se vendimi i qeverisë në përgjithësi respektohet, një numër i madh i marketeve nuk e kanë bukën e bardhë në rafte me çmim të ngrirë prej 33 denarëve.
Në media, por edhe në rrjetet sociale, vazhdimisht jemi dëshmitarë se furrat e bukës nuk e prodhojnë këtë lloj të bukës dhe në fakt edhe vetë furrtarët konfirmojnë se nuk prodhojnë bukë të tillë. Problemi më i madh është në Shkup, ndërsa në qytetet e tjera çmimi i bukës është i ulur.