ISHP: Për shkak të ndryshimeve klimatike, është e mundur shfaqja e rasteve të reja të etheve të Nilit Perëndimor në RMV

min lexim

Shkup, 20 shtator  – Ekziston mundësia e raportimit të mëtejshëm të rasteve të reja të infektimit me ethet e Nilit Perëndimor në territorin e shtetit, thotë Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Ky institucion bëri të ditur se një 78-vjeçar nga Komuna e Çeshinovës-Obleshevës ka ndërruar jetë më 16 shtator për shkak të komplikimeve nga ethet e Nilit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Drejtoresha e ISHP-së, Marija Andonovska, tha se këtë vit në Maqedoni janë bërë 30 analiza për virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa janë konfirmuar 4 raste laboratorike të etheve të Nilit Perëndimor. Virusi është i pranishëm në mesin e shpendëve të egër dhe ai transmetohet te njerëzit nga pickimi i një mushkonja të zakonshme (shtëpiake) që më parë është infektuar duke u ushqyer me zogj.

“Kjo sëmundje është e regjistruar në Maqedoni me raste sporadike, më së shumti te pacientët e testuar me formë neuroinvazive të sëmundjes. Sëmundjet e transmetuara nga vektorët po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme dhe po ndryshojnë tablonë e barrës së sëmundjeve infektive. Ndryshimet klimatike ndikojnë shumë në shpërndarjen dhe aktivitetin e vektorëve. Shumë prej këtyre sëmundjeve janë tashmë të pranishme në Maqedoni, si sëmundja Lyme, ethet e Nilit Perëndimor, disa ethe hemorragjike dhe tularemia, dhe të tjera si malaria, dengoja dhe chikungunya potencialisht mund të futen në vend. Duke marrë parasysh sa më sipër, ekziston mundësia e raportimit të mëtejmë të rasteve të reja në të gjithë territorin e Maqedonisë. Ekziston një rrezik mesatar për popullatën në periudhën pranverë-verë, por mund të minimizohet duke iu përmbajtur rekomandimeve të parandalimit të institucioneve kompetente”, thotë ISHP.

78-vjeçari ka ndërruar jetë më 16 shtator në Klinikën Infektive në Shkup. Simptomat e para të pacientit filluan më 9 shtator, me ulje të oreksit, plogështi dhe rritje të temperaturës deri në 39 gradë.

“Për shkak të ankthit, agresivitetit, afazisë dhe humbjes së vetëdijes, pacienti me 10 shtator me automjet të urgjencës mjekësore nga Koçani është dërguar në Spitalin Klinik në Shtip, ku janë kryer procedurat diagnostike neurologjike. Për shkak të gjendjes së rëndë të pacientit dhe të diagnostikuar me encefalit, gjatë të njëjtës ditë është dërguar në Klinikën për sëmundje infektive dhe gjendje febrile në Shkup. Janë marrë mostra për analiza mikrobiologjike të disa shkaqeve. Kur kanë ardhur familja kanë thënë se e kanë gjetur për toke, kështu që nuk dihet sa kohë ka qëndruar i shtrirë në shtëpi”, tha drejtori i Klinikës Infektive, doktor Fadil Cana.

Sipas drejtorit, 80 përqind e pacientëve të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor janë asimptomatikë.

“Nëntëmbëdhjetë përqind kanë një formë klinike më të butë me temperaturë të lehtë, dhimbje muskulore dhe dobësi, dhe mund të largohet pa e ditur ne se e kemi atë. Një përqind e pacientëve të infektuar, veçanërisht ata mbi 70 vjeç, mund të kenë manifestime neurologjike, siç ishte rasti me pacientin 78-vjeçar. E gjithë bota e di që nuk ka terapi specifike, e vetmja gjë që mund të parandalohet është përmes programeve të dezinfektimit që janë në juridiksionin e komunave”, tha Cana.

Të dhënat gjatë hetimit epidemiologjik janë marrë nga një epidemiolog nga Koçani nga fëmijët e pacientit, dokumentacioni mjekësor nga Shtipi dhe nga infektologët nga Infektivna.

“Pacienti ishte në pension, merrej me bujqësi, ishte baba i dy fëmijëve, i ve, i cili jetonte në një shtëpi në fshatin Obleshevë, Koçan. Sipas heteroanamnezës, pacienti nuk ka udhëtuar jashtë vendit, si dhe jashtë vendbanimit gjatë periudhës së inkubacionit. Nuk ka anëtarë të tjerë të familjes me simptoma të ngjashme”, tha Instituti.

Në pyetjen nëse ekziston rreziku i përhapjes së etheve të Nilit Perëndimor, Cana tha:

“Nuk mund të them se ka apo nuk ka rrezik përhapjeje sepse rezervuari i saj janë zogjtë dhe transmetohet përmes pickimit të mushkonjave, por kjo nuk do të thotë se çdo mushkonjë e transmeton virusin”.

BURIMI: zhurnal.mk

Story i mëparshëm

VIDEOLOTARIA ndërtoi 17 kënde të lojrave për fëmijë në të gjithë Maqedoninë

Story i radhës

Kurmasheva nderohet me Çmimin Ndërkombëtar të Lirisë së Shtypit

Të fundit nga