Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare Artur Meçollari thotë se armët strategjike bërthamore për të cilat pretendon Rusia mund të godasin deri në territorin e SHBA.
Në emisionin Now në Euronews Albania, Meçollari u shpreh se dallimi qëndron te koha që ka dispozicion pala tjetër për të kundërvepruar dhe platforma nga kryhen sulmet bërthamore.
“Armët strategjike mund të godasin deri në SHBA. Nga pikëpamja e rrezes, pastaj është koha në dispozicion që ka pala tjetër për të kundërvepruar. Në armët e lëshuara nga nëndetëset koha në dispozicion për të reaguar është me vogël. Këto armë shkojnë deri në 10 mijë kilometra por varet nga koha e reagimit për t’i asgjësuar në ajër”, tregoi ushtaraku i lartë.
Sipas tij, përdorimi i armëve bërthamore sot është i vështirë pasi opinioni i sotëm publik nuk është ai i 1945, por është shumë më tepër sensitiv, përfshirë edhe atë rus.
“I pari që do e shkrepë armën bërthamore do ketë pasoja të rënda nga opinioni publik. Është një shkurajim që kërkon t’i bëhet opinionit publik. Veprimet duan të japin idenë se kërcënimi është real. Objekti i kësaj retorike nukleare është opinioni publik”, u shpreh Meçollari.