Prej disa viteve, Serie A ka pësuar një rënie të nivelit teksa në elitën italiane mungojnë yjet botërorë të cilët zgjedhin të transferohen pjesa më e madhe në Premier League apo La Liga. Tashmë, në Itali, klubet janë të detyruara të limitohen vetëm tek futbollistë të cilët janë në fundin e karrierës apo të tjerë që kanë dështuar në karrierën e tyre të mëparshme.
Të paktën ky është mendimi i ish-sulmuesit italian, Luca Toni i cili fton klubet të reflektojnë dhe të ndryshojnë sjellje pasi kampionati po humbet kualitet gjithnjë e më shumë.
Kush është goditja e munguar në këtë merkato? “Vështirë të thuhet, në Itali nuk vijnë më lojtarë cilësorë nga jashtë. Tani jemi mësuar të transferojmë lojtarë të cilët janë në fundin e karrierës, apo të tjerë që kanë dështuar në klubet e tyre të mëparshme.
Napoli do të më kishte zhngënjyer shumë nëse do të shkëmbente Osimhen për Ronaldon, ndërsa mendoj se goditjen e vërtetë e ka bërë Roma me Dybalën”, u shpreh Toni.