Arianit Reka, ish shef i kabinetit të Nevzat Bejtës në kohën që drejtonte Ministrinë e Pushtetit Lokal, ka aderuar në ASH. Reka, djali i ish rektorit të UT, të ndjerit Agron Reka, sot ka zyrtarizuar kalimin në partinë që drejton Arben Taravari.
“Mirë se vjen Dr. Arianit Reka, Aleanca për Shqiptarët, Aleancë e dijes dhe guximit. Dr. Arianit Reka është Profesor Inordinar në Departamentin e Kimisë, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, si dhe ligjërues në degën e farmacisë pranë Fakultetit të Shkencave Mjekësore (UT)”, prezantoi prurjen e re në ASH, Arben Taravari.
Në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore pranë Universitetit të Tetovës, është punësuar në vitin 2016, kur edhe përfundon studimet e doktoratës në Fakultetin Teknologjik-Metalurgjik (Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”).
Nga viti 2017 deri në 2021 ka ushtruar pozitën e prodekanit për shkencë. Profesor Reka është njëri prej rreth 950 shkencëtarëve nga e tërë bota që është shpërblyer me bursën Fulbright për vitin akademik 2021-2022. Nga tetori i vitit 2021, profesor Reka, deri në korrik të këtij viti si bursist Fulbright ka qëndruar për hulumtime të post-doktoratës në SHBA në Universitetin e Misurit për Shkencë dhe Teknologji.
Arianit Reka është një shkencëtar me një numër të konsiderueshëm të punimeve shkencore. Biografia e tij akademike përfshin gjithsej 96 punime shkencore (46 punime në revista, 55 në konferenca dhe 4 kapituj librash).
Arianiti ka një përvojë të gjatë ndërkombëtare që fillon nga viti 1999 kur është punësuar si përkthyes dhe analist i prokurimit në Qendrën e Përbashkët për Prokurim në Kampin Bondsteel në kuadër të Ushtrisë Amerikane, Inspektor i Cilësisë në Agjencinë për Menaxhim të Prokurimit (Departamenti i Shtetit Amerikan), Menaxher i cilësisë (KBR Inc.), Konsulent i cilësisë (Ecolog Ltd.), Shef kabineti (MVL), profesor në kolexhin “Yahya Kemal” dhe udhëheqës i shumë projekteve.
Profesor Reka është anëtar aktiv i Shoqatës për Hulumtimin e Materialeve, Shoqatës së Kimistëve dhe Teknologëve në Maqedoni, Shoqatës së Kristalografisë Shqiptare, NanoAlb njësisë për nanoteknologji në kuadër të Akademisë së Shkencave – Shqipëri, recensent në disa revista ndërkombëtare, etj.
Gjatë kësaj periudhe Dr. Reka ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe rritjen e cilësisë në arsim dhe shkencë si dhe në bashkëpunimin ndërkombëtar me shkencëtarë dhe institucione arsimore dhe shkencore në vend, rajon dhe botë.
Profesor Reka është profesionist i certifikuar në Sigurimin e Cilësisë nga Departamenti i Mbrojtjes (SHBA). Është nga Gostivari dhe i takon gjeneratës së tretë në familje që merret me arsim dhe shkencë. Është 42 vjeç, i martuar dhe baba i dy vajzave, Dara dhe Morea.