Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan deklaroi se do të rifillojë marshimin drejt kryeqytetit Islamabad nga qyteti Wazirabad në të cilin u sulmua, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin kombëtar, në një deklaratë për gazetarët në spitalin ku trajtohet në Lahor, Khan tha se partia Lëvizja për Drejtësi e Pakistanit (PTI) të cilën ai e drejton do të fillojë marshimin me 8 nëntor nga qyteti Wazirabad dhe se ai vetë do t‘i bashkohet nga Rawalpindi.
Pasi vuri në dukje se do të mbajë fjalime çdo ditë në televizione, Khan tha se “Marshimin do ta drejtojë nga Rawalpindi. Mbërritja në Rawalpindi do të zgjasë 10-15 ditë”.
Khan ka vazhduar pretendimet se pas planit për atentat ndaj tij qëndron kryeministri Shahbaz Sharif, ministri i Brendshëm Rana Sanaullah dhe zv/kreu i shërbimit inteligjent të Pakistanit gjeneral majori, Faisal Naseer. “Çfarë do të bëjë komisioni gjyqësor për sa kohë që në krye të hetimit ndodhen këta persona që kam dhënë emrat?”, shtoi Khan.
Ai tha se këta emra duhet të japin dorëheqje dhe se kjo është e nevojshme për hetimin.
– Rjedhjet e pamjeve të marrjes në pyetje të agresorit
Duke rikujtuar se pamjet hetimore të agresorit kanë rrjedhur në shtyp edhe pse PTI është në qeveri në Punjab, Khan parashtroi pyetjen se si është e mundur kjo.
Khan tha se pavarësisht se kanë kaluar disa ditë nga sulmi, policia nuk ka përgatitur FIR (Raportin Paraprak Informues). “Unë besoj plotësisht se këta tre persona e kanë kryer këtë sulm me komplot. Nuk bëjnë raportin FIR sepse kam dhënë emrin e Naseer, zv/kreut të ISI (Shërbimit Inteligjent të Pakistanit)”, potencoi Khan.
Dokumenti me shkrim i përgatitur nga policia pas ankesës së një viktime se është kryer krim në Pakistan emërtohet si “FIR”.
– Qeveria e Imran Khan-it ra në muajin prill
Qeveria e Imran Khan-it ra me 174 vota “kundër” në një votëbesim të zhvilluar më 10 prill në Parlamentin e Pakistanit.
Shehbaz Sharif, vëllai i Navaz Sharif-it i cili ka ushtruar detyrën e kryeministrit për tre mandate në vend, u zgjodh kryeministër në zgjedhjet e mbajtura në Parlament më 11 prill duke marrë mbështetjen e shumicës absolute me 174 vota.
– Sulmi ndaj Khan
Khan më 28 tetor filloi marshimin nga qyteti Lahor drejt Islamabadit me arsyen se qeveria e koalicionit nuk ka shpallur zgjedhje të parakohshme.
Si pasojë e zjarrit të hapur ndaj autokolonës më 3 nëntor në Wazirabad, Khan u plagos në të dyja këmbët. Në sulmin me armë 4 plumba goditën këmbën e Khan. Si pasojë e sulmit humbi jetën një person dhe u plagosën 13 të tjerë.
Burimi: GAZETA.MK