Ish-kryeministri i Japonisë qëllohet me armë zjarri

min lexim

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u qëllua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara dhe u dërgua në spital.

Sipas disa raporteve, sulmuesi i tij i dyshuar u arrestua.

Ish-guvernatori i Tokios, Yoichi Masuzoe, tha në një postim në Twitter se Abe, 67 vjeç, është në një gjendje të arrestit kardiopulmonar.

Termi në Japoni përdoret shpesh përpara se të konfirmohet zyrtarisht vdekja.

“Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”, tha sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.

Abe po mbante një fjalim për një kandidat zgjedhor në Nara kur ndodhi sulmi.

Image

Shinzo Abe. Gusht, 2020.

Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. Më vonë ka zbuluar se i është kthyer koliti ulceroz – një sëmundje e zorrëve.

Abe është pasuar nga aleati i tij i ngushtë i partisë, Yoshihide Suga, i cili më vonë është zëvendësuar nga Fumio Kishida.

Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni. Armët e dorës atje janë të ndaluara.

Ngritja në pushtet

Me pseudonimin “Princ”, Shinzo Abe është djali i ish-ministrit të Jashtëm, Shintaro Abe, dhe nipi i ish-kryeministrit, Nobusuke Kishi.

Ai është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1993, ndërsa më 2005 është bërë anëtar i kabinetit, duke u emëruar sekretar kryesor nga kryeministri i atëhershëm, Junichiro Koizumi.

Më 2006, Abe është bërë kryeministri më i ri i Japonisë së pasluftës.

Megjithatë, një sërë skandalesh – duke përfshirë humbjen e të dhënave të pensioneve nga Qeveria – kanë prekur administratën e tij.

Në shtator të vitit 2007, ai ka dhënë dorëheqje, për shkak të kolitit ulceroz.

Abe është kthyer si kryeministër në vitin 2012, duke thënë se ka kapërcyer sëmundjen me ndihmën e mjekimeve.

Ai është rizgjedhur më pas në vitin 2014 dhe në vitin 2017, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

Popullariteti i Abes është luhatur, por ai ka mbetur kryesisht i pasfidueshëm si kryeministër, për shkak të ndikimit në partinë e tij LDP, e cila i ka ndryshuar rregullat e saj për t’i mundësuar atij që të shërbejë edhe mandatin e tretë si lider partie.

Një nacionalist i diskutueshëm

Abe është i njohur për qëndrim të ashpër ndaj mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Për kohë të gjatë, ai ka kërkuar të ndryshojë Kushtetutën pacifiste të Japonisë së pasluftës.

Pikëpamjet e tij nacionaliste shpesh i kanë rritur tensionet me Kinën dhe Korenë e Jugut, veçanërisht pas vizitës së tij – në vitin 2013 – në faltoren Yasukuni të Tokios. Ky është një lokacion i diskutueshëm që lidhet me militarizmin japonez para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2015, ai ka kërkuar të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive, duke i mundësuar Japonisë që t’i mobilizojë trupat jashtë shtetit, për të mbrojtur veten dhe aleatët nën sulm.

Pavarësisht kundërshtimeve nga fqinjët e Japonisë e, madje, edhe nga publiku vendas, Parlamenti japonez e ka miratuar këtë ndryshim.

Image

Abe i qëlluar me armë zjarri. Nara, 8 korrik 2022.

Trajtimi i ekonomisë dhe i pandemisë COVID-19

Abe, gjithashtu, njihet si “Abenomics” – një referencë për politikën e tij ekonomike, të ndërtuar mbi lehtësimin monetar, stimulin fiskal dhe reformat strukturore.

Këto masa kanë çuar në rritje ekonomike gjatë mandatit të tij të parë, por ngadalësimet e mëvonshme kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e tyre.

Përpjekjet e tij për të ringjallur ekonominë janë përballur me sfida, kur Japonia, në pranverën e vitit 2020, ka hyrë në recesion, për herë të parë që nga viti 2015.

Popullariteti i tij është goditur edhe më, pas kritikave për trajtimin e pandemisë COVID-19.

Ka pasur shqetësime se fushatat për nxitjen e turizmit vendas kanë kontribuar në rritjen e numrit të rasteve me këtë sëmundje./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Moti me diell dhe i ngrohtë, pasdite me reshje shiu

Story i radhës

Në vendkalimin kufitar Tabanoc, për hyrje në vend pritet rreth 30 minuta

Të fundit nga