Ish-kandidati për pankinën e Shqipërisë: Koreja e Veriut më kërkoi të manipuloja

Sven-Goran Erikson është një nga emrat më të njohur të trajningut botëror në vitet 1990-2000. Suedezi drejtoi me shumë sukses Lacion drejt titullit kampion dhe në karrierën e tij mori drejtimin e klubeve të njohura apo edhe të përfaqësueses së Anglisë.

Ai tentoi edhe të ulej në pankinën e Shqipërisë në vitin 2017, pas largimit të De Biazit, por Duka preferoi Panuçin ndaj një trajneri që ai e vlerësoi “me moshën e papërshtatshme për një projekt të ri”.

Por gjatë karrierës së tij, Erikson nuk ishte vetëm trajner, pasi në vitin 2009, ai kreu për pak muaj detyrën e drejtorit sporti në klubin e Nots Kaunti. Një aventurë e çuditshme e cila kishte kulmuar me një kërkesë shumë të pazakontë nga zyrtarët e Koresë së Veriut për të manipuluar shortin e Botërorit 2010.

Rasëll King, shefi ekzekutiv i klubit, i cili u zbulua më vonë se ishte thjesht një financier mashtrues afroi Erikson dhe gjatë periudhës së qëndrimit të tij në klub, i kërkoi që të vizitonin bashkë Korenë e Veriut, siç zbuloi vetë ish-trajneri suedez në “BBC Radio 5”.

“Ata (përfaqësuesit e Koresë së Veriut) e dinin që isha një anëtar i Komitetit të Futbollit në FIFA. Ata më thanë ‘A mund të na ndihmosh?’. ‘Sigurisht që mundëm, nëse kam mundësi’, iu përgjigja duke menduar se kërkonin topa apo këpucë e gjëra të tilla. Ata thanë ‘Ne duam që të kemi një short të thjeshtë’.

Ata kërkonin ndihmë me shortin.

Sigurisht që u thashë ‘A e mendoni me të vërtetë atë që mendoj se po kërkoni? Nuk mund ta bëj një gjë të tillë. Askush nuk mundet. Është absolutisht e pamundur dhe është kriminale edhe të tentosh.

Por ata nuk më besuan kurrë. Gjëja mbresëlënëse është se ata mendonin jo që nuk mund ta bëja, por që nuk dëshiroja, diçka shumë e çuditshme”, tregoi Erikson në rrëfimin e tij. “Kjo mendoj se ishte arsyeja pse unë u ftova dhe pse ishte aq e rëndësishme që të shkoja atje”, tregoi suedezi.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Eliminoni problemin e nervozizmit dhe zbutni dhembjen për shkak të daljes së dhëmbëve

Story i radhës

20-vjeçari ngacmon seksualisht të miturën në Durrës, arrestohet

Të fundit nga