Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, e ka pranuar përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë. Ai përmes një letre drejtuar gjykatës ka shprehur pendesë dhe ka kërkuar lirim të parakohshëm. Në anën tjetër, anëtari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Aleksandar Olenik, thotë mes tjerash se kjo ngjarje duhet të shërbej si pikë kthese për shoqërinë serbe.
Është e pazakonshme të dëgjohet nga një gjeneral serb se në Srebrenicë është kryer gjenocid.
Por, ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, i cili ishte dënuar Gjykata e Hagës me 35 vjet burgim, për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, e ka pranuar përgjegjësinë dhe ka shprehur pendesë për pjesëmarrjen e tij në gjenocid.
Me këtë rast, përmes një letre drejtuar gjykatës, ai ka kërkuar lirim të parakohshëm nga burgu.
“Kam marrë pjesë në krijimin e një krize humanitare që i parapriu zhvendosjes së detyruar të grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga Srebrenica, në të cilën gjithashtu kam marrë pjesë, duke ditur që civilët në Potoçari ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve, përdhunimeve, rrahjeve dhe abuzimeve”, ka thënë ai.
Kërstiq ndër të tjera shkroi në letër se po t’i jepej mundësia do të shkonte në Potoçar për t’i nderuar viktimat e gjenocidit dhe se do të votonte pro Rezolutës së Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën.
Ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë dhe njëkohësisht, anëtari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Aleksandar Olenik, thotë ky rast duhet të shërbente si pike kthese për shoqërinë serbe, por ai gjithashtu tregon se kjo çështje nuk po raportohet nga mediet në Serbi për shkak të ndikimit të partisë në pushtet.
“Është i pari ose njëri nga të parët gjeneral që po e pranon se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Në situatë normale ky akt duhet të jetë një pikë kthese por shoqëria serbe akoma nuk është e evropianizuar. Mediet këtu nuk po raportojnë për këtë çështje kaq të rëndësishme sepse janë të kontrolluara nga pushteti. Fjalimet e tij mund t’i lexoni vetëm në rrjete sociale dhe në disa gazeta më të vogla opozitare. Jam i bindur që mbi 80% e popullatës serbe nuk kanë as që kanë dëgjuar për këtë lajm”, ka deklaruar ai.
Olenik, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është mohues i gjenocidit dhe se ai nuk i ka ndryshuar qëndrimet radikale të viteve të 90-ta.
“Ai nuk e pranon këtë gjë sepse është një politikan radikal dhe që përfaqëson politika radikale. Ai në këtë formë siguron edhe vota nga elektorati i tij. Ju e keni parë se çfarë veprime bënte ai në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur u miratua rezoluta për Srebrenicën. Bënte shfaqje me flamur sikurse të ishte në cirk. Ishte me të vërtetë një turp për shtetin serb për qytetarët serbë dhe veçanërisht për viktimat e gjenocidit. Ai nuk i ka ndryshuar sjelljet prej viteve 90-ta, mbetet po ai njëjti”.
Më 19 prill 2004, Radislav Kërstiq u dënua me 35 vjet burgim për mbështetje dhe nxitje të gjenocidit të kryer në Srebrenicë në korrik 1995.
Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë në korrik 1995 në Srebrenicë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë.
Burimi: botasot.info