Gjykata e Posaçme pranon kërkesën e Ardian Hajdarit për të pyetur 67 persona në cilësinë e dëshmitarëve, për të cilët pretendon se u ka ofruar ndihmë juridike falas, por fillimisht u refuzua nga ana e prokurores së SPAK-ut, Dorina Bejko.
Ndërkohë, GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e ish-anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Ardian Hajdari, për përjashtimin e gjyqtares Atalanta Zeqiri. Prokuroria kërkoi të rrëzohen provat shkresore të dërguara nga Hajdari, por Gjykata vendosi të pranojë disa prej tyre duke përjashtuar artikujt e mediave online. Deklaratat me të cilat Hajdari pretendon se ka mbrojtur klientë falas, prokuroria pretendon se ka ndodhur pasi është marrë i pandehur. Hajdari kërkoi të pyeten 67 dëshmitarë që vërtetojnë sipas tij, se iu ka afruar ndihmesë ligjore falas, kërkesë të cilën togat e zeza e pranuan ndërsa më datë 24 nëntor nis me pyetjen e 5 të parëve.
Ardian Hajdari akuzohet për “Deklarim të rremë të pasurisë” dhe “Fshehje e të ardhurave”. Hajdari kishte kërkuar përjashtimin e kryesueses së seancës, Atalanta Zeqiraj, me pretendimin se kishte konstatuar faktin se gjyqtarja kishte miqësi me kallëzuesen e tij, ishprokuroren Antoneta Sevdari. Ai u shpreh se ka frikë se procesi ndaj tij nuk do të jetë i drejtë.
Më 24 qershor 2020, Hajdari u kallëzua penalisht në SPAK me pretendimin se kishte gënjyer në aplikimin për t’u zgjedhur anëtar i KPA-së përmes falsifikimit të dokumenteve. Kallëzimi i referohej deklarimit të tij se punonte prej 17 vitesh si avokat. Në kërkesën e SPAK-ut për dërgimin për gjykim të çështjes ndaj Hajdarit, konstatohet se në kohën kur ai ka kryer deklarimin pranë ILDKPKI-së, në vitin 2017 në funksion të aplikimit të tij për një pozicion në institucionet e vetingut, ka lënë bosh rubrikën lidhur me të ardhurat e krijuara më parë nga avokatia.
Sipas prokurorisë, mosdeklarimi i të ardhurave nga aktiviteti i avokatisë nuk është harresë, por është një fshehje e mirëfilltë e kryer për disa vite me radhë. Sipas verifikimet e kryera ka rezultuar se Hajdari ka përfaqësuar në cilësinë e avokatit dhjetëra çështje për disa vite, por nuk i ka deklaruar në tatime të ardhurat e fituara. SPAK vëren se prej shumë vitesh, Hajdari depozitonte pranë organeve tatimore deklarata tatimore me vlera zero ose ndonjë deklaratë me vlerë të papërfillshme.
Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe pas kontrollit tatimor të kryer për shkak të kërkesës për çregjistrim, duke pasqyruar një aktivitet me të ardhura thuajse ‘zero’. Bazuar në këto të dhëna të hetimit, SPAK konkludon se Hajdari e ka konsumuar edhe veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.