Iranit i rritet presioni për ta goditur Izraelin

min lexim

Strategjia parandaluese e Iranit kundër Izraelit është goditur rëndë prej shpërthimit të luftës në Gazë – sidomos pas sulmit të fuqishëm në konsullatën iraniane në kryeqytetin e Sirisë më 1 prill.

Tetëmbëdhjetë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike, përfshirë gjeneralë kyçë janë vrarë në Siri në ato që dyshohet se kanë qenë goditje izraelite qysh prej ditëve të para të dhjetorit të vitit të kaluar.

Mirëpo, Irani është përmbajtur nga përgjigja direkte ndaj Izraelit dhe ndërkohë ka tentuar të rrisë mbështetjen për “Boshtin e Rezistencës” – rrjetin e vet të aleatëve në rajon – që përmes tij ta luftojë Izraelin.

Megjithatë, sulmet vdekjeprurëse në konsullatën iraniane në Damask mund të nxisin Iranin që të aktivizojë përgjigje direkte, kanë thënë ekspertët.

Të rrethuara me ambasadën iraniane dhe atë kanadeze, ndërtesa e konsullatës së Iranit dhe rezidenca e ambasadorit iranian, është raportuar të jenë goditur me gjashtë raketa dhe janë shkatërruar krejtësisht.

Shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, përfshirë gjeneralin e lartë të forcave Quds, Mohammad Reza Zahedi, janë vrarë në sulm.

Zyrtarët iranianë, sikurse bëjnë vazhdimisht, janë zotuar për hakmarrje, ndërsa lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zotuar më 2 prill se Izraeli do të “ndëshkohet prej burrave tanë të guximshëm”.

Ndonëse kërcënimet e tilla prej Teheranit nuk përbëjnë diçka të re, analistët kanë thënë se iranianët këtë herë do të mund ta përmbushin premtimin.

“Irani nuk ka shumë opsione të mira, mirëpo sulmi i 1 prillit mund t’ia forcojë krahun”, ka thënë Farzan Sabet, hulumtues i lartë në Qendrën për Qeverisje Globale, me bazë në Gjenevë.

Sulmi i parë ‘izraelit’ në objektet diplomatike të Iranit

Sulmet e kaluara në interesat iraniane në Siri, që dyshohet se janë kryer prej Izraelit, kanë pasur shënjestër zona ushtarake që përdoren prej Gardës Revolucionare Islamike dhe ndihmësve të tij.

Sulmi i 1 prillit ka qenë i pari në një ndërtesë diplomatike të Iranit.

Ambasadori iranian në Siri, Hossein Akbari, i ka thënë televizionit shtetëror se në këtë sulm janë vrarë tre persona që kanë pasur kredenciale diplomatike.

Irani e ka akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe ka kërkuar që rasti të dënohet në nivel global.

Teherani ka kërkuar edhe një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Izraeli e praktikon që një kohë politikën e moskomentimit të sulmeve ajrore në Siri.

Raz Zimmt, hulumtues i lartë në Institutin për Studime Kombëtare të Sigurisë, me seli në Izrael, ka thënë se ndërtesa e goditur është përdorur prej forcave Quds, krahut të ekspeditës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, që është shpallur entitet terrorist prej Shteteve të Bashkuara.

Ai ka thënë se sulmi ka qenë pjesë e strategjisë së Izraelit “për përshkallëzim të situatës me Iranin, me qëllim të rritjes së presionit në kokën e gjarprit, siç e sheh Izraeli atë”.

Izraeli e ka nisur ofensivën vdekjeprurëse në Gazë, pasi Hamasi, grup i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, i ka sulmuar disa komunitete në Izrael, më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë 1.200 njerëz, shumica prej tyre civilë.

Boshti i Rezistencës – i udhëhequr prej Iranit – e ka sulmuar Izraelin disa herë prej nisjes së luftës në Gazë, dhe madje ka tentuar të vendosë bllokadë detare duke i përdorur rebelët Huthi të Jemenit, të cilët në muajit e fundit i kanë shënjestruar anijet komerciale që i kanë pasur destinacion portet izraelite.

Izraeli është përgjigjur duke i goditur këto rrjetëzime që përbëjnë Boshtin e Rezistencës, mirëpo i ka rritur fillimisht sulmet në pozicionet e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, prej dhjetorit të vitit të kaluar.

“Sulmet izraelite në hapësirat diplomatike në Siri mund të jenë përpjekje e Izraelit që Irani të paguajë shtrenjtë për mbështetjen ndaj fushatës së Boshtit të Rezistencës”, ka thënë Sabet.

“Durim strategjik” pa ndonjë fryt

Pavarësisht se ka humbur dhjetëra zyrtarë të niveleve të ndryshme prej nisjes së luftës në Gazë, Republika Islamike nuk e ka ndjekur direkt Izraelin, pasi një luftë me këtë shtet do të shndërrohej në mënyrë të pashmangshme në luftë me Shtetet e Bashkuara.

Në vazhdimësi, Teherani e ka ushtruar atë që konsiderohet “durim strategjik” – duke shmangur konfliktin direkt, me shpresën se vendet aleate të Izraelit janë duke i kërkuar mjaftueshëm këtij shteti që të përmbahet.

Sulmi i konsullatës shpërfaq gabimin në kalkulim”, ka thënë Hamidreza Azizi, hulumtues në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe ato të Sigurisë.

Azizi ka thënë se përmes përshkallëzimit gradual të sulmeve ndaj Gardës Revolucionare Islamike, Izraeli e ka dërguar Iranin në pikën ku “ose rrezikon përballje direke, ose është dëshmitar i gërryerjes së besueshmërisë së vet rajonale”.

Duke komentuar mesazhin kërcënues të Khameneit, Azizi ka thënë se duket që “disa ligjvënës iranianë tashmë besojnë se ‘strategjia e durimit’ dhe varësia e plotë në luftën me grupe të rrjetëzuara i ka kufizimet e veta”.

Thirrjet për veprime reciproke

Baza e linjës së ashpër brenda Republikës Islamike është duke kërkuar hakmarrje dhe ka qenë kritike e mungesës së një përgjigjeje të ashpër ndaj sulmeve paraprake vdekjeprurëse kundrejt Gardës Revolucionare Islamike.

Këtë herë do të jetë shumë e vështirë për Iranin që të mos bëjë asgjë”, ka thënë Zimmt, vëzhgues veteran i Iranit në kuadër të forcave izraelite të mbrojtjes.

“Pyetja mbetet se çfarë saktësisht do të bëjnë Irani për të përmirësuar mbrojtjen, mirëpo në të njëjtën kohë që të mos e fusë veten në ndonjë përballje direkte ushtarake me Izraelin [me] mbështetje prej Shteteve të Bashkuara”.

Sabet ka spekuluar që Irani me shumë mundësi do të vazhdojë të përgjigjet indirekt, sikurse janë sulmet në shënjestrat në pjesën kurde në Irak, zonë në të cilën besohet se operojnë forca izraelite.

Megjithatë, sulmi shkatërrues në konsullatë mund t’i ndryshojë gjërat.

Sabet ka thënë se Irani edhe mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet me disa vende nikoqire, duke i sulmuar misionet diplomatike izraelite në ato vende përkatëse.

Kjo mundësi duket se gëzon mbështetje te përfaqësuesit e linjës së ashpër brenda Iranit.

Hamid Rasaei, klerik ultrakonservator dhe ligjvënës i zgjedhur prej Teheranit, e ka përshkruar sulmin në konsullatë si “sulm në tokën e shtetit tonë”, dhe se diçka e tillë kërkon reciprocitet.

Mirëpo Zimmt ka thënë se sulmet në misionet izraelite, ndonëse janë të mundshme, mund të marrin shumë kohë për t’i planifikuar.

Ai e ka rikujtuar taktikën e Iranit duke i shënjestruar disidentët jashtë shtetit, përfshirë ata në vendet perëndimore dhe ka argumentuar se përkeqësimi i marrëdhënieve me disa vende nuk do ta ndalë Republikën Islamike nga kryerja e sulmeve në ambasadat apo konsullatat izraelite.

Pavarësisht nëse Irani synon përgjigje direkte ose indirekte, “secila masë e hakmarrjes pritet të jetë e kalibruar dhe e kufizuar në parandalim të pasojave të padëshirueshme”, ka thënë Azizi.

“Prapëseprapë, askush nuk do të mund të garantojë diçka të tillë”./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ndryshimi për pagat e larta, pritet që kufiri që tatohet 23% të rritet në 250 mijë lekë/muaj, lehtësi edhe për të rinjtë

Story i radhës

Prej sot ashpërsohen gjobat për shkelësit e rregullave në komunikacion

Të fundit nga