Irani ka shpallur “persona non grata” 2 diplomatë të Ambasadës së Gjermanisë në Teheran, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Nasser Kenani njoftoi se ambasadori gjerman në Teheran është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Kenani deklaroi se pas “veprimeve ndërhyrëse dhe të papërgjegjshme të punëve të brendshme të Iranit” të qeverisë së Berlinit, 2 diplomatë gjermanë në vend janë shpallur “persona non grata” dhe kjo situatë i është përcjellë ambasadorit gjerman.
Duke thënë se prioriteti i Iranit është gjithmonë ruajtja e marrëdhënieve në kuadër të respektit të ndërsjellë, Kenani tha: “Në rast se disa palë duan të shpërfillin parimet dhe sovranitetin kombëtar të vendit tonë, është e pashmangshme të përcaktohen alternativat”.
Më 21 shkurt, Irani dënoi me vdekje shtetasin e dyfishtë iraniano-gjerman Jamshid Sharmahd, i cili dyshohet se është drejtuesi i një organizate anti-regjimit iranian me bazë në SHBA dhe akuzohet për “organizim të akteve terroriste” në vend.
Gjermania, duke reaguar ndaj vendimit të datës 22 shkurt, thirri të ngarkuarin me punë të Iranit në Berlin në Ministrinë e Jashtme dhe shpalli “persona non grata” 2 punonjës të Ambasadës iraniane dhe u kërkoi të largoheshin nga vendi.
Irani akuzoi Gjermaninë për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit.
Dënimi me vdekje
Agjencia e lajmeve “Mizan”, e lidhur me Gjyqësorin iranian, raportoi se Jamshid Sharmahd, i cili dyshohet se është lideri i grupit anti-regjim me bazë në SHBA, i njohur si “Tonder” dhe “Kuvendi i Mbretërisë së Iranit”, u gjykua nga Gjykata Revolucionare e Teheranit më 21 shkurt me dënim me vdekje për “çrregullim në vend duke planifikuar dhe drejtuar akte terroriste”.
Organizata në fjalë akuzohet se ka organizuar disa aksione të armatosura dhe sabotazhe në të gjithë vendin me sulmin terrorist që vrau 14 persona dhe plagosi 215 persona në qytetin e Shirazit më 12 prill 2008.
Ministria iraniane e Inteligjencës njoftoi se kishte kapur Sharmahd-in, i cili është shtetas i dyfishtë iraniano-gjerman dhe i njohur se kishte banuar në SHBA që nga viti 2003, jashtë vendit dhe e solli atë në vend në korrik 2020.
Familja e tij njoftoi se Sharmahd është “rrëmbyer” në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe është dërguar në Iran.