Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, e ka pranuar për herë të parë se shteti i tij i ka dhuruar dronë Rusisë, mirëpo ka insistuar që ky transferim është bërë para se të niste lufta e Rusisë në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Me këta dronë iranianë, Rusia ka sulmuar tash e disa javë qytetet ukrainase.
Komentet e ministrit iranian kanë ardhur pas disa muajve të mesazheve konfuze të Iranit lidhur me furnizimin e Rusisë me armë.
“Ne i kemi dhënë Rusisë numër të kufizuar të dronëve, para se të niste lufta në Ukrainë”, u ka thënë Amirabdollahian gazetarëve, pas një takimi në Teheran.
Ditë më parë, zyrtarët iranianë kanë hedhur poshtë armatosjen e Rusisë për luftën në Ukrainë.
Më herët gjatë kësaj jave, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Amir Saeid Iravani, i ka konsideruar dyshimet për armët si “totalisht të pabaza” dhe ka riktheksuar pozicionin e Iranit për neutralitet në luftë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë i kanë kërkuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që të hetojë nëse Rusia ka përdorur dronë iranianë për të sulmuar civilët në Ukrainë.
Ndonëse e ka pranuar dërgesën në Rusi, ministri iranian ka thënë të shtunën se vendi i tij nuk është në dijeni për përdorimin e dronëve të tij në luftën në Ukrainë.
Sipas tij, Irani është i përkushtuar për ndaljen e konfliktit.
“Nëse Ukraina ka dokumente që dëshmojnë se Rusia ka përdorur dronët iranianë në Ukrainë, atëherë ajo duhet të na informojë”, ka thënë ai.
“Nëse na dëshmohet se Rusia ka përdorur dronë iranianë në luftën kundër Ukrainës, ne nuk do të qëndrojmë indiferentë në këtë çështje”.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL