Shefi i gjyqësorit iranian, Mohseni Ejei, ka deklaruar se heqja e mbulesës së detyrueshme është kundër ligjit të vendit dhe do të trajtohet në mënyrë të rreptë, transmeton Anadolu.
‘Mizan News’ raportoi se Ejei foli për këtë çështje në një ngjarje në provincën qendrore Isfahan, duke fajësuar “armikun për mbështetje të anomalive sociale”, përfshirë heqjen e hixhabit.
Debati mbi çështjen e mbulesës së detyrueshme në Iran u rihap pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini derisa ishte në paraburgim nga policia në mes të muajit shtator.
Vdekja e saj shkaktoi protesta mbarëkombëtare që shkaktuan dhunë, sipas zyrtarëve iranianë, duke rezultuar në vdekjen e pothuajse 200 personave. Megjithatë, organet perëndimore të të drejtave të njeriut thonë se numri i të vdekurve nga protestat është mbi 500.
Në pesë muajt e fundit, mungesa e forcës policore morale në Teheran dhe në qytete të tjera ka nxitur spekulime se rregullat e detyrueshme të hixhabit janë lehtësuar nga autoritetet iraniane.
Shefi i gjyqësorit, pa përmendur në mënyrë specifike asnjë vend, tha se “armiku” mbështet anomalitë sociale që janë “kundër modestisë publike, kundër sheriatit dhe kundër ligjeve të vendit”, duke iu referuar veçanërisht lehtësimit të rregullave të hixhabit.
Ejei tha se kjo “kategori e krimit është e ndryshme nga gabimet dhe mëkatet individuale me rolin e armikut të dukshëm në të”, duke shtuar se “masa” do të merren së shpejti në koordinim me institucionet e tjera.
Ai tha se parlamenti, autoriteti ekzekutiv dhe gjyqësori janë të gjithë “të përgatitur për t’u marrë me ata që prishin rendin publik”, por nuk ka detare rreth “masave” që do të ndërmerren.
Ai po ashtu komentoi çështjen e helmimit të nxënësve në muajt e fundit në Iran, duke e quajtur atë një shembull të “korrupsionit në tokë” dhe duke paralajmëruar dënime shembullore për të përfshirët.
Krimi i “korrupsionit në tokë” dënohet me vdekje sipas ligjit të Iranit.