Javën e kaluar Apple përditësoi shifrat e instalimeve të iOS 15 në pesë muajt e fundit duke na dhënë një panoramë të përgjithshme të numrit të pajisjeve që kanë versionin më të fundit të sistemit operativ të Apple.
iOS 15 është instaluar në 89% të iPhone të lançuar 4 vitet e fundit ndërsa vetëm 10% vazhdojnë të jenë në iOS 14. Vetëm 1% e pajisjeve kishin versione më të vjetra të iOS instaluar.
Nëse marrim në konsideratë iPhone e lançuar më shumë se 4 vite më parë, 82% e pajisjeve kanë iOS 15. Vetëm 14% janë në iOS 14 dhe afro 4% në versione më të vjetra.
Hera e fundit që Apple përditësoi këto informacione ishte muaji Janar ku iOS 15 asokohe ishte instaluar në vetëm 72% të iPhone lançuar 4 vitet e fundit.
Që prej Janarit kompania ka shtuar disa veçori të reja përmes përditësimeve të iOS, përfshirë iOS 15.4 që solli përdorimin e Face ID me maskë.
Sa i takon iPadOS 15, sistemi operativ është instaluar në 79% të iPad lançuar katër vitet e fundit ndërsa 18% kanë ende iPadOS 14. Vetëm 3% kishin versione më të vjetra.
Në tërësi nga versioni i parë 72% e iPad kanë iPadOS 15, 18% iPadOS 14 dhe 10% versione më të vjetra të iPadOS. /PCWorld Albanian