Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) po analizon mundësinë që sporti i boksit të përjashtohet nga eventet olimpike duke nisur që nga “Paris 2024. Sipas IOC, IBA (Federata Ndërkombëtare e Boksit), e drejtuar nga një rus, nuk ka interesim real për sportin dhe boksierët.
Në Olimpiadën e fundit në Tokio, ishte IOC ai që organizoi eventet kualifikuese të boksit, duke ia hequr këtë mundësi IBA, e përfshirë në skandale të shumta për manipulimin e ndeshjeve. Edhe kualifikueset e “Paris 2024” do të organizohen nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ndërkohë që ky sport zyrtarisht nuk do të jetë më në programin olimpik në Lojërat e vitit 2028, në Los Anxhelos.
Gjithsesi, ka gjasa që ky përjashtim të ndodhë më herët, që në Olimpidën pariziene, ndaj dhe IOC po shqyrton të gjitha mundësitë. Një zëdhënës i IOC tha: “Kongresi i fundit i IBA-së ka treguar edhe një herë se ai nuk ka interes real për sportin e boksit dhe boksierët, por interesohet vetëm për fuqinë e vet”.
“Vendimet dhe diskutimet për t’i mbajtur boksierët larg kualifikueseve dhe Lojërave Olimpike nuk mund të kuptohen ndryshe. Zgjatja e kontratës së sponsorizimit me Gazprom si sponsor i vetëm kryesor i IBA përforcon shqetësimet, të cilat IOC i ka shprehur vazhdimisht që nga viti 2019”, shtoi zëdhënësi.
Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) drejtohet nga rusi Umar Kremlev me mbështetjen e firmës ruse të energjisë Gazprom. Një kongres i jashtëzakonshëm i IBA-së në shtator votoi kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke lejuar Kremlev të qëndrojë si president, pasi një Gjykatë e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi se kandidati holandez Boris van der Vorst u pengua gabimisht të qëndronte.