Simone Inzaghi ka çdo arsye për të qenë i kënaqur. Madje, edhe vështirësia e Lautaros për të shënuar nuk është arsye për shqetësim, duke qenë se si ish-sulmues, ai e di mirë që për një sulmues gjëja më e rëndësishme është të krijojë raste.
Goli do të vijë për ata që gjithmonë kanë shënuar. Fitorja ndaj Parmës ishte e pastër, Interi luajti një futboll të shkëlqyer dhe, si bonus, nuk i shteroi energjitë përpara ndeshjes së Champions League kundër Bayer Leverkusenit.
“Djemtë ishin shumë të zotë, Parma është një skuadër e shkëlqyer, që jashtë fushe kishte humbur vetëm me Napolin. Jam shumë i kënaqur. Dy golat e parë ishin fantastikë. Më vjen keq që Lautaro nuk shënoi, por duhet të vazhdojë kështu, jam i lumtur me paraqitjen e tij”.
Lidhur me golin e pësuar, Inzaghi ka një kritikë të vogël: “I vetmi peng është ai gol që pësuam. Skuadra nuk e meritonte. Darmian ishte i zemëruar për autogolin, por gabimi filloi më herët. Ai është më pak fajtor se të gjithë”.
Mesfusha e Interit, veçanërisht Barella, ishte në nivel të lartë: “Nicolo është një lojtar i jashtëzakonshëm. Edhe sezonin e kaluar, kur bëri më pak gola, e konsideroj më të mirin e tij nën drejtimin tim”.
Inzaghi nuk i shmangu komentet mbi Napolin, i cili pas eliminimit nga Kupa e Italisë mund të përqendrohet vetëm te kampionati: “Të kesh më shumë kohë për të përgatitur ndeshjet është gjithmonë një ndihmë, por secili ndjek rrugën e tij. Unë jam i përqendruar te rruga e Interit. Kemi një kalendar shumë të ngjeshur, duke përfshirë edhe Superkupën. Do të jetë gjithçka më e ndërlikuar. Gjithashtu, kemi kaluar një mbrëmje të vështirë të dielën, çka nuk ishte e thjeshtë për askënd. Bove është mirë, jemi të kënaqur, por ato momente ishin të vështira për të gjithë”.
Mesazhi për Conten dhe lojtarët e tij: “Kam 25 lojtarë që i dua shumë, ata po më japin gjithçka. Duke menduar për rrugëtimin tonë në këto tri vite e gjysmë, jam shumë krenar. Fakti që tani jemi në fazën e 1/8 të Champions League është kënaqësi e jashtëzakonshme për t’u ndarë me djemtë dhe stafin tim. Arritja në Botërorin e Klubeve është shpërblimi për punën e të gjithëve në këto vite”.
Burimi: botasot.info