Simone Inzaghi e ka komentuar pozitivisht ndeshjen e sotme të Interit, edhe pse skuadra e tij doli e mundur nga fusha e lojës. Pas humbjes 0Ë2 ndaj Liverpoolit në “San Siro”, tekniku u shpreh se shihte shumë gjëra pozitive, edhe nga një rezultat i tillë.
“Shpresoj që të mos takojmë Liverpulin në çdo ndeshje. Jam i lumtur dhe krenar për skuadrën, për fat të keq, në momentin më të mirë nuk u shpërblyem dhe në pavëmendjen e parë, bënë një gol të pabesueshëm. I kam bërë komplimente skuadrës, më vjen keq për rezultatin por duhet të jetë një ogur i mirë për gjithçka që duhet të vijë më pas.
Liverpuli mendoj se është një prej skuadrave më të forta në Europë dhe Interi im e përballoi denjësisht, meritonim më shumë nga ndeshja. E dimë që futbolli është i tillë, por kjo duhet të na dhurojë më shumë vetëbesim.
Është e vështirë të komentosh një rezultat të tillë, por e dimë që kështu është futbolli. Duhet të ecim para, kjo duhet të jetë një pikënisje. Mendoj se që nga fillimi i vitit nuk kishim luajtur ndaj një skuadre të fortë si Liverpooli”, tha Inzaghi pas sfidës.