Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për median britanike “Channel 4” konfirmoi se projekti në Zvërnec nuk synon të dëmtojë atë natyrë të mrekullueshme, por ta rigjenerojë atë.
“Janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të njohur në punën e tyre në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë ne po bëjmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit të mjedisit. Pra, projekti nuk synon ta shkatërrojë atë vend të bukur, por synon ta rigjenerojë.”
I pyetur nga gazetarja britanike mbi shqetësimet që vijnë nga BE për ruajtjen e mjedisit dhe nëse këto shqetësime do ta çojnë në rishikimin e çështjes, kryeministri Rama u shpreh se është shumë mirë që komisioni është i shqetësuar, sepse nuk mund të jetë ndryshe. Meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë në Bashkimin Europian.
“Prandaj vetë ideja se mund të ecim përpara me një projekt, apo me çfarëdolloj projekti që nuk përputhet me standardet evropiane, është absurde. Unë po theksoj vetëm këtë për këtë projekt: qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama i cilësoi protestat, veçanërisht ato të qershorit, si konfirmim të zhvillimit të vendit dhe një pasqyrë të qartë për reflektim.
“Kushdo që e bën punën e tij me pasion, e përjeton personalisht, por unë nuk jam i lënduar — madje kjo më ka ndihmuar. Për mua, protesta e qershorit, jo kjo e tanishmja, ka qenë njëkohësisht një konfirmim se vendi është rritur në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë mbi çfarë duhet të reflektojmë.”
Burimi: botasot.info


