Kreu i Interpolit ngriti të mërkurën alarmin për një rritje të mundshme të trafikut të armëve pasi të përfundojë lufta në Ukrainë.
Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit, Jurgen Stock, i tha Shoqatës Anglo-Amerikane të Shtypit se ai “nuk ka dyshim” se trafikimi i paligjshëm i armëve do të rritet.
“Ne e kemi parë këtë në rajonin e Ballkanit”, tha zoti Stock. “Ne kemi pare këtë në luftërat në Afrikë, natyrisht, grupet e krimit të organizuar përpiqen të shfrytëzojnë këtë situatë kaotike, disponueshmërinë e armëve dhe madje edhe të armëve që përdoren nga ushtria.”
Armët e vogla janë shqetësimi kryesor, tha ai.
Jurgen Stock u bëri thirrje 195 vendeve anëtare të Interpolit që “të përdorin të dhënat e disponueshme që mund të ndihmojnë në gjurmimin e armëve, për shembull ato të vjedhura në një vend tjetër”.
“Asnjë vend në rajonin tonë nuk mund ta trajtojë këtë problem i vetëm, sepse kriminelët për të cilët po flas veprojnë në nivel global”, tha zyrtari i lartë i Interpolit.
Interpoli, me qendër në Lion të Francës, nuk kryen hetime, por ofron trajnime për policët dhe doganierët që, për shembull, të identifikojnë rrugët e trafikimit./VOA