Interi përgatit revolucionin

min lexim

Interi përgatit revolucionin. Dy sezone radhazi pa titull, kanë nxitur reflektimin në kampin zikaltër.

Drejtuesit e klubit po mendojnë të ndryshojnë deri në gjysmën e organikës aktuale.

Sipas mediave italiane, në grup nuk ka më të paprekshëm, ndaj shumë do të varet edhe nga ofertat. Deri tani vetëm 7 lojtarë bëjnë pjesë në listën e atyre që do të qëndrojnë me siguri.

Onana, Darmian, Dimarco, Asllani, Mkhitaryan, Calhanoglu e Lautaro janë lojtarët që do të mbajnë veshur fanellën zikaltër edhe për sezonin e ardhshëm. Dhe pikërisht sulmuesi argjentinas pritet të jetë lideri i ri, pasi do t’i besohet shiriti i kapitenit.

Sa u përket largimeve, 6 futbollistë janë në listën e sigurt. Bëhet fjalë për Handanovic, D’Ambrossio, Skriniar, Gagliardini, Dumfries e Bellanova.

Katër të parëve u skadon kontrata dhe nuk u është ofruar rinovimi. Për Bellanovën nuk do të ushtrohet e drejta e blerjes nga Cagliari, ndërsa Dumfries do të shitet për të mbushur arkat.

Pjesa tjetër e lojtarëve janë ende në dyshim, pasi Barella, Gosens e Brozovic janë pjesë e projektit.

Megjithatë ata mund të shiten në rast të ndonjë oferte joshëse.

Edhe Bastoni shihet si pjesë e rëndësishme, por nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje për rinovimin e kontratës deri në qershor, atëherë italiani do të shitet për të shmangur një rast si ai i Skriniar, që do të largohet me parametra zero.

Situatë e komplikuar është edhe ajo e Dzekos dhe De Vrij, të dy në skadencë kontrate. Interi dëshiron të rinovojë me të dy, por me pagë ndjeshëm më të ulët se aktualja. Tani mbetet për t’u parë vullneti i tyre për të vijuar me këto kushte.

Acerbi është një nga futbollistët që ka bindur më së shumti, por edhe në këtë rast Interi nuk dëshiron të paguajë 4 milionë euro për një 36-vjeçar. Zikaltrit janë gati të blejnë italianin vetëm nëse Lazio përgjysmon pretendimet.

I fundit dhe jo më pak i rëndësishmi, është Romelu Lukaku.

Belgu ka konfirmuar më shumë se një herë dëshirën për të qëndruar në Milanon zikaltër, por jo çdo gjë është në dorën e tij.

Kjo pasi rendimenti i tij këtë sezon ka qenë shumë larg pritshmërive dhe te Interi nuk duan të paguajnë një rrogë stratosferike për një sulmues që nuk kalon as shifrën e 10 golave.

Për më tepër, duhet parë edhe plani i Chelsea-t, pasi londinezët mund të shtyjnë për shitjen e belgut dhe jo një tjetër huazim.

Gjithsesi ajo që vlen të theksohet, është se te Interi po përgatiten për një revolucion të vërtetë sezonin e ardhshëm dhe mbetet për t’u parë nëse ndryshimet do t’i besohet Inzaghit, apo do të ketë lëvizje edhe në pankinë.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Momenti kur Kiara e puthi Luizin pas pajtimit

Story i radhës

Vjollcë Berisha dhe Tiron Jajaga, zëvendës ministrat e rinj nga radhët e ASH-së

Të fundit nga