Në prag të sezonit të tij të tretë me zikaltërit, mesfushori shqiptar Kristjan Asllani është një nga emrat më të përfolur në këtë sesion të merkatos së futbollistëve.
Në Itali 22-vjeçari kërkohet nga Fiorentina, e cila mund të vendosë të shpenzojë deri në 28 milionë euro për të siguruar kartonin e elbasanasit të talentuar, por Asllani është duke u ndjekur me interes edhe nga dy klube të Premier Ligës.
Sipas lajmeve që vijnë nga Anglia, West Ham dhe Crystal duan të bëjnë të vetin mesfushorin, i cili padyshim nuk është i pandjeshëm ndaj propozimit të pasur ekonomik që do të vinte nga të dy klubet londineze.
Asllani ka deklaruar më shumë se një herë se dëshiron që të qëndrojë tek Interi, por është fakt që nuk ka gjetur shumë hapësira te skuadra zikaltër: 1066 minuta në fushë në të gjitha kompeticionet, nga të cilat 772 në Serinë A. Shumë pak për dikë që në vitin e tij të dytë tek Interi, ndoshta do të kishte pritur të kishte më shumë hapësirë.
Burimi: botasot.info