Rastet pozitive me koronavirus janë rritur kohëve të fundit, por interesimi për imunizim ka rënë. Sipas raportit të fundit të publikuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë në 24 orët e fundit janë imunizuar 37 qytetarë.
Ndërkohë për dozën e katërt e cila është e lejuar vetëm për personat mbi moshën 60 vjeç interesimi duket edhe më i vogël. Në total deri më tani janë vaksinuar vetëm 1658 persona.
Mungesën e interesimit e pohojnë edhe nga qendra për vaksinim në Prishtinë.
“Mund të them se interesimi me dozën e katërt, fillimisht kur është prezantuar interesimi ka qenë më i madh sidomos tek mosha 60 vjeçare për çka edhe kemi marrë rekomandime nga IKSHPK, derisa tani ka filluar rënia e interesimit”, tha zv/drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Rrezart Halili.
Halili apelon qytetarët që të imunizohen, në mënyrë që t’i ikin rrezikut që është ende prezent.
“Duke pasur parasysh numrin e rasteve me Covid-19, i cili muajve të fundit dmth ka qenë mjaft i madh, apeloj të gjithë qytetarët që të vijnë dhe të imunizohen me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre”, tha ai.
E nga Federata Evropiane e Mjekëve tregojnë për rëndësinë që ka kjo dozë.
“Vaksinimi me dozën e katërt ka rëndësinë jetike që të mbrojë pacientët nga variantet e reja të Covidit, dozat e dhëna deri tani kanë qenë të ,,, vetëm për variantin klasik të Covid-19, ndërsa doza e katërt që do dali tani në vjeshtë, do ketë të parashikuar mbrojtjen deri në 90% edhe ndaj varianteve të reja”, tha Aurora Meta-Dollenberg nga kjo federatë.
Sipas Dollenberg doza e katërt e vaksinës kundër Covid-19 është e domosdoshme edhe për moshat më të reja
“Vendet evropiane e këshillojnë dhënien e një vaksine rifreskuese që do të ishte doza e tretë ose e katërt në vartësi se cila vaksinë është dhënë deri tani tek pacientët. Jo vetëm që duhet të lejohet doza e katërt por është një domosdoshmëri për stinën e vjeshtës”, deklaroi Dollenberg.
Përmes një përgjigje me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë pranuan se ka pasur shumë pak kërkesa nga qytetarët nën moshën 60 vjeç për vaksinim me dozën e katërt.
Sidoqoftë, marrja e dozës së katërt nuk është miratuar ende për këta persona, për shkak të një rekomandimi që duhet pranuar ministria nga organizma ndërkombëtarë.