Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror. Nga të gjitha rastet e trajtuara gjatë periudhës janar-shtator 2024, në Klinikën e Gjinekologjisë, prej 26 rasteve të trajtuara, 11 prej tyre kanë rezultuar në braktisje. Ndërsa në vitin 2023, prej 30 rasteve të trajtuara vetëm katër fëmijë janë braktisur.
Për momentin në SOS Fshatrat e Kosovës janë 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Shkak i pritjes së gjatë për adoptim, për të cilin ndodh se familjet presin deri në 10 vjet, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Bajram Shala po është numri i vogël i fëmijëve me status për adoptim.
“Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror me status të zgjidhur e potencial për adoptim, është shumë i vogël. Kjo ndodh për shkak që ka numër të lartë të familjeve që parashtrojnë kërkesa dhe janë të vlerësuara pozitivisht për adoptim, por numri i fëmijëve me status për adoptim është i vogël. Andaj, kjo është arsyeja e pritjeve të gjata”, ka thënë Shala në një përgjigje me shkrim.
Punëtorja sociale në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Hafize Hamza-Geci ka potencuar se gjendja ekonomike është ndër shkaqet kryesore të braktisjes së fëmijëve.
Hamza-Geci: Shkaqet ekonomike, arsye e braktisjes së fëmijëve
“Vitin 2023 kemi pasur rënie të numrit të fëmijëve të braktisur në klinikën tonë. Gjithsej, kemi trajtuar 30 raste, kurse në braktisje, refuzim të kujdesit ndaj fëmijës së tyre kanë rezultuar 4 raste. Këtë vit, deri më 30 shtator 2024 kemi një ngritje shumë më të madhe të braktisjes së fëmijëve, pas lindjes nga prindërit. Nga të gjitha rastet që janë trajtuar gjatë 2024, prej 26 rasteve, 11 kanë rezultuar në braktisje. Arsyet më të shpeshta të braktisjes së fëmijëve menjëherë pas lindjes nga nënat, janë shkaqe ekonomike, por edhe arsye të ndryshme, si braktisja e partnerit dhe mospërkrahja e familjes së tyre”, ka potencuar Geci.
Drejtoresha e SOS Fshatit, Ora Bytyçi, tregon se momentalisht në SOS janë gjashtë familje, të cilat jetojnë në banesa me qira. Ai ka theksuar se SOS Fshatrat nuk përkrahen financiarisht nga qeveria, si çdo organizatë tjetër aplikojnë për grande me projekte.
Bytyçi: Fëmijët janë brengë e secilit prej nesh
“Momentalisht, kujdesemi për 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Momentalisht, kemi 6 familje SOS. Ne, kemi vendosur që së bashku me SOS nënat dhe tezet që të marrin banesa me qira në Prishtinë… Kur fëmijët tanë arrijnë moshën 18-vjeç, ne kemi edhe programin e gjysmë pavarësimit. Në programin e gjysmë pavarësimit i kemi 12 të rinj, ndërsa ata të cilët kanë kaluar edhe atë trevjeçarin e gjysmë pavarësimit, janë mbi 30 të rinj… Për momentin, nuk përkrahemi financiarisht nga shteti, sigurisht i kemi disa prej projekteve që aplikojmë dhe fitojmë grante, por aplikojmë si çdo organizatë tjetër. Në të ardhmen shpresojmë të jemi në buxhetin e Republikës së Kosovës sepse, këta fëmijë janë të Kosovës, janë brengë e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.
Fëmijët pa përkujdesje prindërore janë në kompetencë të organit të kujdestarisë në Qendrën për Punë Sociale, i cili sipas kompetencës territoriale dhe mandatit si dhe në përputhje me dispozitat e ligjeve që rregullojnë mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të fëmijëve ndërmerr hapa e veprime për mbrojtjen e fëmijës.
Burimi: botasot.info