Tifozët e Dritës, “Intelektualët” kanë njoftuar se nuk do të jenë në stadium për ta përkrahur ekipin e tyre të zemrës në ndeshjen ndaj Drenicës në Gjilan.
Përmes një njoftimi në Instagramin e tyre, ata e lanë edhe një mesazh misterioz.
“Intelektualët njoftojnë anëtarët që sot nuk do të paraqiten në ndeshjen Drita-Drenica! Ne e duam Dritën, jo paratë”, thuhej në postimin e tyre.
Nuk dihet arsyeja pse tifo grupi ka vendosur që ta bojkotojë këtë ndeshje.
Drita gjendet në vendin e tretë me 55 pikë, pa gjasa për titull kampioni dhe po ashtu e ka pothuajse 100% të siguruar garimin në kualifikimet për Conference League.