Intel zbuloi ditën e sotme aksidentalisht specifikat e gjeneratës së 13-të të procesorëve Raptor Lake. Një ditë pasi konfirmoi se kjo gjeneratë procesorësh do të ketë frekuencë deri në 6Ghz, Intel publikoi dhe më pas fshiu specifikat e Core i5-13600K, Core i7-13700K dhe Core i9-13900K.
Specifikat u publikuan në uebsajtin Kanadez të kompanisë. Ato zbulojnë se procesori flagship që qëndron në krye të linjës, i9-13900K do të ketë 24 bërthama dhe 32 threads me frekuencë maksimale prej 5.4Ghz. i7-13700K ka 16 bërthama dhe 24 threads me frekuencë maksimale prej 5.3Ghz.
Së fundi i5-13600K ka 14 bërthama dhe 20 threads me frekuencë maksimale prej 5.1Ghz.
I gjithë ky informacion është në përputhje me raportimet e mëhershme. Slidet e publikuara ditën e djeshme tregonin se procesorët i7 dhe i9 të gjeneratës së 13-të do të kishin të paktën dy bërthama performance me frekuencë 5.8Ghz duke përdorur teknologjinë Thermal Velocity Boost.
Zyrtarisht kompania ende nuk ka publikuar diçka në lidhje me gjeneratën e 13-të të procesorëve por ka premtuar 15% më shumë performancë për bërthamë dhe 41% më shumë performancë për procesor.
Rivali i kompanisë AMD pritet të lançojë Ryzen 9 7950X me 16 bërthama dhe 32 threads në fund të muajit i aftë të shkojë deri në 5.7Ghz.
Intel pretendon se të paktën një prej procesorëve të gjeneratës së 13-të do të arrijë frekuencën 6Ghz nga kutia.
Më shumë rreth kësaj linje do të mësojmë më 27 Shtator, të njëjtën ditë që AMD nxjerr në shitje procesorët Zen 4 Ryzen 7000. /PCWorld Albanian