Inspektorati: FBI-ja duhej të kishte mbledhur më shumë informacione zbulimi para trazirave në Kapitol

December 12, 2024
min lexim

FBI-ja do të duhej të kishte bërë më shumë për të mbledhur informacion zbulimi para trazirave në Kapitol ndonëse byroja kishte bërë përgatitjet për mundësinë e shpërthimit të dhunës më 6 janar të vitit 2021, sipas raportit të publikuar të enjten nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm.

Sipas tij, asnjë agjent sekret i FBI-së nuk ishte i pranishëm dhe asnjëri nga informatorët e byrosë nuk ishin autorizuar të merrnin pjesë.

Raporti i përpiluar nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Departamentit të Drejtësisë hedh poshtë një teori konspiracioni, të cilën e nxorën në pah disa ligjvënës republikanë në Kongres, se FBI-ja kishte luajtur rol në nxitjen e ngjarjeve atë ditë, kur protestuesit të cilët ishin të vendosur të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, që nxorën fitues Presidentin demokrat Joe Biden, hynë në ndërtesë me forcë, duke u përplasur me policinë.

Raporti i rishikimit u publikua gati katër vite pas këtij kapitulli të zymtë në histori që shkundi themelet e demokracisë amerikane.

Ndonëse i kufizuar në çështjet që trajton, raporti synon të hedhë dritë mbi çështjet që vazhdojnë të brejnë debatin publik, përfshirë nëse kishin ndodhur dështime të mëdha të burimeve të zbulimit para protestës dhe nëse ndokush në turmën e protestuesve po vepronte në emër të FBI-së. Ky është hetimi i fundit i madh për një ditë të veçantë në historinë e Shteteve të Bashkuara që deri më tani ka nxitur hetime nga ligjvënësit si dhe ngritje të padive në nivel shtetëror dhe federal.

Zyra e Inspektorit gjeti se 26 informatorë të FBI-së ishin në Uashington për protestat që lidheshin me zgjedhjet më 6 janar dhe se ndonëse tre hynë në ndërtesë, apo në zonën përreth, asnjëri prej tyre nuk ishte i autorizuar nga byroja të bënte një gjë tillë e as të shkelnin ligjin apo të nxisnin të tjerët të bënin një gjë të tillë.

Raporti gjithashtu gjeti që FBI-ja kishte bërë hapat e duhur për t’u përgatitur për ngjarjet e 6 janarit, por se kishte dështuar të mblidhte nga 56 zyrat e saja në terren informacione të rëndësishme zbulimi.

Rishqyrtimi i detajuar nga Zyra e Inspektorit filloi disa ditë pas trazirave, pas daljes në dritë të një përmbledhjeje të përgatitur nga zyra e FBI-së në Norfolk të Virxhinias, ku ajo paralajmëronte për mundësinë e “luftës” në Kapitol. Ish shefi i zyrës së FBI-së në Uashington kishte deklaruar se në momentin kur e pranoi këtë paralajmërim më 5 janar, ai e ndau informacionin me shpejtësi me agjencitë e tjera të rendit në kuadër të një force të përbashkët kundër terrorizmit.

Por drejtuesit e Policisë së Kapitolit kanë thënë se nuk ishin në dijeni të atij dokumenti në atë kohë dhe kanë këmbëngulur se nuk kishin informacion të veçantë ose të besueshëm se ndonjë nga demonstratat në Kapitol do të rezultonte në një sulm në shkallë të gjerë.

Drejtori i FBI-së, Chris Wray, i cili njoftoi këtë javë se do të japë dorëheqjen në fund të mandatit të Presidentit Joe Biden në janar, ka mbrojtur dorëzimin e raportit të zbulimit nga agjencia e tij. Ai u tha ligjvënësve në vitin 2021 se raporti u shpërnda përmes grupit të përbashkët të punës për terrorizmin, u diskutua në një post komandë në Uashington dhe u postua në një portal interneti në dispozicion të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit.

“Ne e komunikuam atë informacion në kohën e duhur me Policinë e Kapitolit dhe (Departamentin e Policisë Metropolitane) në jo një, jo dy, por tre mënyra të ndryshme”, tha zoti Wray në atë kohë.

Teoria e konspiracionit se oficerët federalë të zbatimit të ligjit futën në kurth anëtarët e turmës është përhapur në qarqet konservatore, përfshirë edhe nga disa ligjvënës republikanë. Ligjvënësi republikan Clay Higgins kohët e fundit sugjeroi në një podkast që agjentët që pretendonin të ishin mbështetës të zotit Trump, ishin përgjegjës për nxitjen e dhunës.

Ish-ligjvënësi nga Florida Matt Gaetz, i cili së fundmi u tërhoq si i zgjedhuri i zotit Trump për postin e prokurorit të përgjithshëm mes akuzave për trafikim seksual, i dërgoi një letër zotit Wray në vitin 2021 duke pyetur se sa informatorë ishin në Kapitol më 6 janar dhe nëse ishin “thjesht informatorë pasivë ose nxitës aktivë”.

Nuk ishte e qartë më parë se sa informatorë të FBI-së ishin në turmë atë ditë. Drejtori Wray refuzoi të thoshte gjatë një dëshmie në Kongres vitin e kaluar se sa nga njerëzit që hynë në Kapitol dhe zonën përreth më 6 janar ishin punonjës të FBI-së, ose njerëz me të cilët FBI kishte kontaktuar. Por, zoti Wray tha se “ideja që dhuna në Kapitol më 6 janar ishte disi pjesë e një operacioni të orkestruar nga burime dhe agjentë të FBI-së, është qesharake”.

Një informator i FBI-së dëshmoi vitin e kaluar në gjyqin kundër e ish-drejtuesit të grupit ‘Proud Boys’ Enrique Tarrio për marshimin drejt Kapitolit me anëtarët e tjerë të grupit të tij ekstremist. Informatori tha se kishte komunikuar me ta teksa turma e mbështetësve të zotit Trump hyri në ndërtesë. Por, informatori nuk ishte në asnjë nga bisedat në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve ‘Telegram’ për të cilin anëtarët e grupit ‘Proud Boys’ u akuzuan se i përdorën për të komplotuar dhunë në ditët para 6 janarit./VOA

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Hajdari shënon, Bislimi zverdhet! Lugano fiton në Varshavë 

Story i radhës

Këngëtare dhe aktor! Njihuni me 2 banorët e parë të “BBVA 4”

Të fundit nga

Zbardhen prapaskenat

Një lajm i bujshëm po qarkullon ditët e fundit në mediat italiane për një tjetër mbrojtës që Juventusi mund t’i rrëmbejë Milanit. Këtë herë bëhet fjalë për Fikajo Tomorin i cili mund
ShkoLartë