Shirita të verdhë nëpër dyert e disa marketeve në vend. Janë mbyllur nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, por zëvendësdrejtori Abdulselam Selami mohon që këtyre t’u jetë ndaluar veprimtaria, por janë mbyllur vetë gjatë procesit të kontrollit nëse po respektohet masa “zero % TVSH” për produktet bazë.
“Pashë reagime, reagimet janë pa bazë shkaku që nuk është mbyllje e marketeve por ajo është një përshkrim, regjistrim i marketeve të mallrave çdo inspektor e ka të drejtën që të kërkon kur është në kontroll që të bëhet regjistrimi për ta parë gjendjen faktike të një subjekti, numri i madhi i inspektorëve dhe punonjësve tatimor është që sa më shpejt të kryhen procedurat”, tha Selami.
Të njëjtën gjë e kanë konfirmuar edhe nga një zinxhiri i marketeve, të cilët kanë njoftuar se për shkak krijimit të kushteve për punë nga inspektorati, marketet do të jenë të mbyllura deri në përfundim të procesit të evidencës.
Selami sqaroi se më shumë parregullsi janë hasur në disa produkte, por siç theksoi, nga ana tjetër është rritur edhe numri i denoncimeve. Sipas tij kontrollet do të vazhdojnë me qëllim të zbatimit të masës 0% TVSH për produktet bazë.
“Parregullsitë janë hasur më shumë tek produktet e mishit, tek orizi në llogaritje me TVSH 5%, 18% që d.m.th diku në disa markete ende nuk ka filluar të zbatohet Ligji. Apeloj edhe deri tek qytetarët që në çdo kohë të kërkojnë fatura fiskale në markete ku blejnë dhe t’i shohin ato fatura këto produkte bazë që Qeveria e solli Ligjin për TVSH 0%”.
Denoncimet nga qytetarët mund të bëhen në linjën telefonike 198 ose në njësit rajonale të DAP. Dënimet shqiptohen në bazë të madhësisë së objektit, numrit të punësuarve dhe të ardhurave mesatare. Ndryshe deri më tani janë kryer 611 inspektime, ndërsa janë konstatuar 114 parregullsi.