Organizata për Siguri, Integrim, dhe Deradikalizëm (INSID), me mbështetjen e Departamentit të Shtetit, lansoi sot fushatën “Mendo” e cila ka për qëllim të mbështesë sa më shumë të rinj në Kosovë që mund të kenë telashe në jetën e tyre dhe janë potencialisht në rrezik nga ekstremizmi apo krimi.
Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për kërcënimin që paraqet rekrutimi ekstremist dhe të theksojë mbështetjen që INSID dhe organizata të tjera mund t’u japin atyre njerëzve që mendojnë se mund të kenë nevojë për ndihmë.
Arber Vokrri, bashkëthemelues i kësaj organizate, tha se kohëve të fundit kanë arritur t’i ndalojnë 50 persona që të shkojnë në vende të ndryshme ekstremiste.
Ai kujtoi se kanë lansuar Grupin Ndërkombëtar të Angazhimit (IEG) që është rrjet i Organizatave të Shoqërisë Civile që punojnë në Evropë dhe Ballkan për të mbrojtur të rinjtë nga ndikimi ekstremist dhe për t’i mbështetur që të integrohen në shoqëri dhe të jetojnë jetë të përmbushura dhe pozitive.
Vokrri: Gjatë kohëve të fundit i kemi parandaluar 50 persona
“Roli i INSID-it është që të angazhohemi të flasim me ta, që t’i parandalojmë ata që të shkojnë në këto vende. Gjatë kohëve të fundit i kemi parandaluar 50 persona që të shkojnë në këto vende dhe kemi lansuar edhe Grupin Ndërkombëtar të Angazhimit për të shkëmbyer përvojat tona dhe praktikat me partneret ndërkombëtar në parandalimin e të rinjve dhe shkuarjen e tyre. Edhe pse arsyet për legalizim të personave janë personale… INSID-i i detyron njerëzit që të mendojnë dhe nëse mendojnë ndalen, atëherë ata bisedojnë dhe nëse bisedojnë atëherë kjo na ndihmon në atë drejtim”, u shpreh Vokrri.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, tha se si vend duhet të ketë më shumë promvim dhe mekanizma të cilët parandalojnë të rinjtë t’i ekspozohen ekstremizmit.
Rexhepi: Duhet të kemi mekanizma mbrojtës që të parandalojmë rekrutimin e të rinjeve
“Ne si qeveri duhet të kemi mekanizma mbrojtës në mënyrë që të parandalojmë rekrutimin e të rinjve për qëllime të ndryshme të dëmshme. Ne kemi nevojë për më shumë promovim, kemi nevojë për të krijuar mekanizma për ta luftuar atë… Ne gjithashtu mund të parandalojmë aktet e ekstremizmit të dhunshëm. Secili prej nesh mund të radikalizohet, por ajo që është e qartë, tregon se më të pambrojturit janë fëmijët tanë dhe të rinjtë tanë. Fëmijët tanë janë gjithmonë të ekspozuar ndaj radikalizimit dhe mënyrave të ndryshme që çojnë tek ai. Këta persona kanë gjithmonë vetëbesim të ulët, janë gjithmonë të hutuar për fenë e tyre, përkatësinë apo identitetin e tyre. Ata mund të jenë viktima të diskriminimit apo keqtrajtimit”, tha ajo.
Bashkëthemeluesi i INSID-it është edhe Albert Berisha. Në në vitin 2013 kishte shkuar në Siri për të luftuar kundër regjimit të Asaidit por që u largua nga Siria dy javë më vonë pasi pa realitetin brutal të mizorive dhe luftimeve të grupeve terroriste. Ndërsa në vitin 2020, ai u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg, ndërkaq u lirua në vitin 2021.
Berisha tha se qëllimi i kampanjës është të nxisë të rinjtë që të mendojnë para se të marrin vendim. Ai u shpreh se kjo fushatë nis pikërisht në kohën kur vinë edhe shumica e diasporës në Kosovë.
Berisha: Kampanja synon të arrijë deri në diasporë
“Keqpërdorimi i besimit, i fesë, qëllimeve të mira për arsye ideologjike dhe agjenda politike, ku shumë prej të rinjve kanë rënë pre e këtyre ideologjive… Është obligim i yni si shoqëri që përveç njerëzve tanë që jetojnë ne Kosovë duhet të merren edhe me ata që jetojnë në diasporë, për arsye se nuk kemi interes që problemet tona të brendshme t’i eksportojmë jashtë vendit… Kjo kampanjë synon të arrijë deri te diaspora jonë”, tha ai.
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti tha se institucionet e vendit dhe shoqëria duhet ta kenë një qasje gjithëpërfshirëse ne parandalimin e këtij fenomeni.
Sahiti: Është me rendësi të vendosim masa të parandalojmë ekstremizmin
“Në pikëpamjet tona një nga çështjet e fenomenit me komplekse të kohës sonë si dhe për të shkëmbyer informacione dhe praktika mbi kontributin tonë të vendosur dhe të vazhdueshëm në përpjekjet e përbashkëta institucionale për të luftuar kërcënimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që shpien në terrorizëm… Prandaj është me rëndësi të madhe t’i vendosim përparësi masave parandaluese duke adresuar nxitje qe favorizojnë apo çojnë në ekstremizëm apo radikalizëm”, tha ai.
Fushata “Mendo” ka për qëllim të arrijë tek ata njerëz që mund të jenë në rrezik, dhe që kanë nevojë për mbështetje, duke ndarë përvojat personale të disa individëve që kanë qenë të radikalizuar më parë dhe tani duan të tregojnë rrëfimet e tyre për t’u ndihmuar të tjerëve me të njëjtat përvoja të vështira.