INPO kërkon rishikim dhe hetim të tenderit për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush” për shkelje të rënda ligjore

min lexim

Organizata INPO ka reaguar kundër shkeljeve ligjore të identifikuara në tenderin për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, me numër të prokurimit 616-24-8261-5-1-1 dhe vlerë të parashikuar 18,400,000.00, e udhëhequr nga Komuna e Prishtinës, i publikuar në platformën e-prokurimi dhe kërkon që ky tender të rishikohet dhe hetohet.

Sipas një komunikate nga INPO, thuhet se janë evidentuar një numër shkeljesh materiale dhe procedurale ligjore, rregullave të prokurimit dhe normave të tjera për menaxhimin e parasë publike, si në vijim:

1. Komuna ka inicuar projektin pa siguruar mjetet e nevojshme financiare duke konsumuar shkelje nga neni 5 i Ligjit për Prokurim Publik si dhe neni 12 parag.2 të Rregullit Financiar NR.01/2013/MF. Si rrjedhojë, Deklarata e Nevojave dhe Përcaktimit të Disponueshmërisë së Fondeve (DNPDF), e nënshkruar nga Zyrtari Kryesor Adminsitrativ (ZKA) dhe Zyrtari Kryesor Financiar (ZKF), është bërë në kundërshtim me Ligjin për ndarjet buxhetore dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Vlera e parashikuar e kontratës në shumën prej 18,400,000.00 euro është në kundërshtim me Planin e Prokurimit dhe po ashtu buxhetin e paraparë për vitin 2024 ku janë planifikuar 500,000.00 euro, si dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore (2025-2027) ku janë paraparë vetëm 4,500,000.00 euro. Pra, komuna ka inicuar këtë aktivitet të prokurimit pa mbulueshmëri financiare.

2. Krahas kësaj, INPO vëren se nënshkrimi i DNPDF-së nga Drejtorja e Financave, është joligjore, për faktin se e njëjta nuk ka të drejtë të ushtroj funksionin e Zyrtarit Kryesor Financiar. Autorizimi i saj në këtë proces paraqet konflikt interesi dhe bie në kundërshtim me nenin 12, paragrafët 1 dhe 3 të Ligjit Nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive. Në vështrim të këtyre dispozitave, Zyrtari Kryesor Financiar duhet të jetë shërbyes civil dhe asesi nuk lejohet që këtë funksion ta ushtroj një zyrtar i emëruar politik, sikurse ka ndodhur në rastin konkret.

3. Tutje, INPO ka identifikuar parregullsi edhe në rastin e publikimit të dokumentit të Njoftimit Paraprak. Shkeljet konistojnë në ndryshimin e mëvonshëm të vlerës se projektit siç pasqyrohet në Njoftimin për Kontratë të publikuar më 15.08.2024. Këto ndryshime nuk janë të lejuara sipas nenit 6, paragrafi 5, pika a) të Rregullores 01/2022 për Prokurimin Publik, pasi që Njoftimit Paraprak ka për qëllim ofrimin e ndihmës dhe jo për t’i çuar në lajthitje operatorët ekonomikë me informacione të pasakta dhe të gabuara. Veç kësaj, është konstatuar që Komuna ka shkurtuar afatin kohor për pranimin e ofertave në thirrje të arsyetimit se për këtë aktivitet të prokurimit është shpallur Njoftimi Paraprak. Marrë për bazë faktin se në njoftimin për kontratë të dhënat financiare kanë ndryshuar substancialisht nga njoftimi paraprak, vlerësojmë se është bërë shkelje e nenit 6.6 pika a) i Rregullores 01/2022, ku përcaktohet qartë se reduktimi i afatit kohor mund të përdorët vetëm nëse Njoftimi Paraprak në fjalë ka të gjitha informatat e nevojshme të specifikuara, e që në këtë rast nuk ka qenë evident.

4. Tutje, INPO vlerëson se për këtë aktivitet të prokurimit janë vendosur kërkesa shumë të larta jo proporcionale, jorelevante, diskriminuese dhe favorizuese te pjesa e kapacitetit teknik dhe profesional. Këto kushte jo të drejta vijnë në shprehje që me rastin e kërkesave lidhur me përvojën e punës së personelit të kërkuar (10 vite pas diplomimit), kërkesave për certifikim në pozitat e caktuara, trajnimeve përkatëse, pastaj mjeteve teknike të cilat nuk korrespodojnë me nevojat apo domosdoshmërinë e projektit, specifikave të tyre, për çfarë INPO ka reaguar me kohë duke kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës.

Në komunikatën nga INPO thuhet se është zhvilluar një takim mes INPO-s dhe Komunës së Prishtinës, për tu qartësuar.

“INPO ka zhvilluar komunikim paraprak me Komunën e Prishtinës, duke kërkuar sqarime dhe duke parashtruar propozime konkrete për harmonizimin e çështjeve të rëndësishme në përputhje me ligjin. Megjithatë, përgjigjet e komunës janë dhënë në terma të përgjithshëm dhe nuk ofrojnë sqarime të mjaftueshme për të justifikuar kriteret dhe hapat e ndjekur në procedimin e këtij aktiviteti të prokurimit”, thuhet më njoftim.

Tutje në komunikatë thuhet se INPO ka ftuar Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit të hetojë situaten.

“INPO fton Agjencinë për Parandalimin e Korruopsionit që të hetoj situatën e konfliktit të interesit në rastin ku e emëruara politike e kryetarit të Komunës së Prishtinës, ushtron edhe detyrën e Zyrtares Kryesore Financiare në Komunë”, thuhet në komunikatë. 

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

“Business Traveller”: Tirana, një kryeqytet i bukur dhe kozmopolit

Story i radhës

Komunat gjermane duan rregulla më të ashpra për migracionin

Të fundit nga