Kina filloi të enjten manovra ushtarake në ujërat përreth Tajvanit, në shenjë hakmarrjeje ndaj vizitës së Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, Nancy Pelosi në Taipei në fillim të kësaj jave. Kina pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Tokio, aleatët e rajonit të Indo-Paqësorit po kërkojnë të forcojnë aleancën me Perëndimin dhe NATO-n të ndikuara nga veprimet e Pekinit. Ky raport përmban pamje filmike të siguruar nga Televizioni Shtetëror Kinez. Zëri i Amerikës nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur saktësinë e imazheve të stacionit CCTV.
Të enjten Pekini filloi manovra ushtarake pesë-ditore në shtatë zona përreth Tajavanit, të transmetuara nga televizioni shtetëror kinez, më të mëdhatë deri më sot.
Kina thotë se po bën prova ushtarake në rast të një bllokade detare dhe ajrore. Japonia tha se manovrat ushtarake zhvillohen mbi territore për të cilat ka pretendime Kina, rreth ishujve pranë Tajvanit.
“Zona detare e shpallur nga Kina si rajoni i stërvitjeve ushtarake përfshin ‘Zonën Ekskluzive Ekonomike’. Japonia i ka shprehur palës kineze shqetësimin e saj”, tha Hirokazu Matsuno, sekretar i lartë i kabinetit të qeverisë japoneze.
Në Japoni ka një lloj nervozizmi lidhur me pasojat e vizitës së zonjës Pelosi në Taipei, thotë për Zërin e Amerikës Ryo Sahashi me Universitetin e Tokios.
“Mendoj se situata është vërtet serioze. A kemi vërtet nevojë për këtë krizë? A kemi përfitime strategjike? Përgjigja ime është jo. Qeveria japoneze mund të mos e parashikojë saktë përgjigjen kineze”.
Për herë të parë ushtria japoneze po merr pjesë në stërvitjet ushtarake “Garuda Shield” në Indonezi, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Australinë dhe Singaporin – duke sinjalizuar forcimin e lidhjeve me aleatët rajonalë dhe të NATO-s.
Por duhet thënë se Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia morën pjesë në takimin e lartë të NATO-s në muajin qershor.
“Duhet të ndërtojmë një partneritet të madh, jo vetëm për të zmbrapsur Rusinë, por edhe për të kundërshtuar ambiciet kineze. Pra, nga ky këndvështrim, partneriteti ynë me NATO-n ka një rëndësi vërtet të madhe për strategjinë e Indo-Paqësorit. Mendoj se është e pandalshme dhe ky orientim nuk do të ndryshojë”, thotë profesori Ryo Sahashi.
Kryediplomati japonez, Yoshimasa Hayashi, tha se lufta ruse në Ukrainë e ka përqendruar vëmendjen tek kërcënimet në rajonin e Indo-Paqësorit.
“Edhe në këtë rajon, logjika e forcës brutale po lë në hije zbatimin e ligjit ndërsa ekuilibri strategjik në rajon po bëhet gjithnjë e më sfidues për Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara. Jemi përballë një momenti vendimtar. Ajo që po ndodh në Ukrainë nuk duhet të lejohet kurrë askund në botë, veçanërisht në Indo-Paqësor”.
Ky kërcënim po ndihet thellë në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit, mes shfaqjes së paparë të forcës nga Kina në ujërat që rrethojnë Tajvanin./VOA