Qeveria indiane ka kërcënuar me veprime ligjore kundër shtëpisë së ankandeve Sotheby’s në Hong Kong, nëse nuk ndalon ankandin e planifikuar të disa bizhuterive që besohet të jenë lidhur me reliket e Budës dhe nuk i kthen ato në Indi, shkruan BBC.
Bizhuteritë janë gjetur më shumë se 100 vjet më parë së bashku me fragmentet e eshtrave të Budës në një stupa në Piprahwa, afër Lumbinit, vendi i lindjes së Budës. Ato u zbuluan nga britaniku William Claxton Peppe dhe përfshijnë gati 1,800 gurë të çmuar, si rubinë, safirë, topaz dhe fletë ari të punuara.
Një pjesë e relikeve u dorëzua në Muzeun Indian në Kolkata, ndërsa një pjesë tjetër iu dha mbretit budist të Siamit (Tajlandës). Një sasi e vogël mbeti në familjen Peppe.
Ministria e Kulturës në Indi ka deklaruar se ankandi shkel ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe konventat e OKB-së, duke e quajtur shitjen një formë të “shfrytëzimit të vazhdueshëm kolonial”.
Ajo këmbëngul se bizhuteritë nuk janë “kopje” apo “objekte muzeale”, por pjesë të shenjta të trashëgimisë kulturore dhe fetare që duhet trajtuar me respekt dhe kujdes.
India ka kërkuar një ndjesë publike nga Sotheby’s dhe Chris Peppé (pasardhës i zbuluesit), ndalimin e menjëhershëm të shitjes dhe publikimin e dokumenteve që vërtetojnë pronësinë e objekteve.
Ministria gjithashtu paralajmëroi se nëse këto kërkesa nuk plotësohen, do të nisë procedura ligjore në Indi dhe Hong Kong për shkelje të ligjeve mbi trashëgiminë kulturore, si dhe një fushatë publike kundër Sotheby’s për rolin e saj në vazhdimin e “padrejtësive koloniale”.
Chris Peppe më herët kishte deklaruar se familja e kishte konsideruar dhurimin e relikeve, por se një ankand ishte mënyra më “e drejtë dhe transparente” për t’i kaluar ato në duart e budistëve.
Por ministria indiane në deklaratën e saj tha se kujdestaria mbi bizhuteritë është “monetizuar përmes publicitetit dhe ekspozitave”.
Burimi: botasot.info