Në kushtet kur prej disa muajsh SPAK nuk ka ndërmarrë veprime ligjore për atë që demokratët e konsiderojnë si afera e incenceneratorëve, Sali Berisha i kujtoi shqiptarëve se ndonëse faktet dhe akuzat kane qene te renda, drejtësia nuk ka vepruar.
“Kjo ndërmarrje kriminale, kjo aferë kriminale është e vetmja në Shqipëri, në Europë dhe në botë, mbi të cilën kanë rënduar akuza të tilla dhe janë shpallur në kërkim menaxherë dhe pronarë të saj, ajo vazhdon njëlloj sikundër asgjë nuk ka ndodhur, sikundër asgjë nuk është konstatuar, sikundër asnjë mandat arresti apo shpallje në kërkim nuk është lëshuar, sikundër askush nuk është burgosur në këtë aferë”, tha Berisha.
Kreu i PD akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin se po pengon hetimet!
“SKAP-i i partisë de facto është bërë mburojë kryesore e vazhdimit të vjedhjes së shqiptarëve nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Engjëll Agaçit dhe Erion Veliaj me sipërmarrjen e tyre. Në këtë kontekst akuzoj direkt Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn dhe për faktin tjetër. Që të ndërmerret një hap i detyruar nga gjykata duhet një kontroll administrativ i zbatimit të kontratës. Kontrollin administrativ duhet ta ushtrojë ministria e financave dhe ajo e mjedisit. Por kjo kurrë nuk ndodh. Sepse Edi Rama nuk lejon të ushtrohet kontroll mbi kompaninë e tij”, tha Berisha.
Berisha vendosi të ndryshojë strategji, duke kërkuar që atë që nuk e bën drejtësia ta bëjnë shqiptarët.
“Është koha të dashur qytetarë dhe qytetare t’i bëjmë gjyqin publik Edi Ramës, Engjëll Agaçit, Arben Ahmetajt dhe Erion Veliajt. Të cilët e ndjejnë se janë të pashpresë para jush dhe kanë filluar t’i përcjellin fajin njëri-tjetrit,” tha Berisha.
Prej disa muajsh çështja e inceneratorëve është vendosur në qendër të aksionit opozitar nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë.