Është bërë inaugurimi i veprës së artit në hapësira publike “Never Say Never” e artistit Alban Muja.
Ky i fundit është shprehur i lumtur që ka arritur ta përfundojë këtë vepër, e cila ka filluar rreth një viti. Muja ka treguar edhe idenë se si ka rrjedhur deri te realizimi i kësaj vepre.
“Është kënaqësi dhe privilegj që po e prezantojmë një punë që kemi filluar qe një vit. Si ide rrjedh më shumë se 20 vjet kur kemi dëgjuar për herë të parë, pra si inspirim vjen nga diskutimi publik i Adem Demaçit që thërriste për lirinë që e gëzojmë sot. Dhe si ide kemi menduar që një vepër duhet dedikuar atij dhe gjithë të burgosurve politikë”, tha Muja.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, e ka vlerësuar veprimtarin Adem Demaçin si një nga figurat vendore të rezidencës kombëtare shqiptare.
“Janë dy dobi të karakteristika të veçanta që shenjon kjo vepër, dhe që lidhet me figurën e Adem Demaçit, një nga figurat qendrore të rezidencës kombëtare shqiptare, dhe jo vetëm me emrin e tij, por edhe me të tjerët që kanë qenë pjesë e rezidencës. Sot po e shtojmë edhe një pikë në qytetin e Prishtinës për ta memoralizuar gjithë ekzistencë kombëtare që e ka udhëhequr Adem Demaçi. Hapësirat publike të jenë hapësira për më shumë art mes publikut dhe veprave të artit. Kjo praktikë do të jetë e rregullt edhe me sheshet dhe hapësirat e tjera”, tha Çeku.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kjo vepër e përjetëson punën e kamotshme të Adem Demaçit dhe përmes kësaj kujtohen të gjithë të burgosurit politik që kanë besuar që vendi mund te jetë i lirë.
“”Never say never” përjetëson edhe fjalën e tij që e ka thënë në Beograd. Kurrë mos thuaj kurrë duhet të merret si një pikënisje e gjithë popullit tonë. Nëse ne besojmë mund të arrijmë çdo gjë, është fjalë që e ngrit vetëbesimin në popullin tonë dhe kujton të gjithë të burgosurit politikë që kanë besuar që mundemi të jemi të lirë, të barabartë e po ashtu mund të mbërrijmë çdo gjë që besojmë”, tha Rama.