Boksieri shqiptar Benjamin Imeri të shtunën në Leverkusen të Gjermanisë synon vazhdimin e serisë 100% fitore në boksin profesionist.
Të shtunën në Leverkusen do të zhvillohet spektakël i boksit profesionist ku mes tjerash do të boksojnë shqiptarët Senad Gashi dhe Nelson Hysa, ky i fundit në një duel për titull në versionin WBC, ndërsa jo më pak interesante pritet të jetë edhe paraqitja e boksierit të ri, Benjamin Imeri.
Djaloshi nga Gradeci i Gostivarit në meçin e tij të katërt në boksin profesionist para vetes do të ketë garuesin nga Serbia, Nikolla Spasojeviq.
Me tre fitore në tre duelet e para si profesionist, 20 vjeçari shqiptar kërkon suksesin e rradhës dhe ka lënë pas përgatitje intensive për duelin e nesërm në Gjermani.
Përvoja do të jetë në anën e serbit, pasi 16 vite diferencë i ndajnë dy boksierët (Spasojeviç është 36 vjeçarë), mirëpo dëshira e vullneti është me shqipen tonë që beson të na gëzojë me tjetër triumf.
“T’ju them të drejtën mezi pres të nisë dueli, pasi ndjej se jam i përgatitur për këtë luftë.
Kam analizuar mirë kundërshtarin, ka më shumë përvojë, pasi kemi edhe dallim të madh në moshë, mirëpo besoj se jam gati për atë që më pret. Kam punuar shumë për këtë meç, duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë dhe besoj se do të dal me fitoren e 4 në po aq duele në boksin profesionist”, shprehet për Sportmania, Benjamin Imeri, djaloshi që mes tjerash ka gjetur mbështetje edhe nga sponsori “Global Imobilien”.